Partia Socialiste ka reaguar në lidhje me pezullimin e dekretit të presidentit Bajram Begaj, që vendosi datën 9 nëntor si ditën kur do të mbahen zgjedhjet lokale për bashkinë e kryeqytetit.

Në mesazh thuhet se vendimi nuk i prek zgjedhjet që do të mbahen, teksa shton se më 31 tetor pritet të merret vendimi përfundimtar.

“Sikurse u theksua edhe mbrëmë, vendimi i sotëm nuk i prek zgjedhjet e 9 nëntorit. Vendimi përfundimtar i Gjykatës do të jepet më 31 tetor”, thuhet në mesazhin e shpërndarë në degët e PS në Tiranë.

Gjykata kushtetuese ngrin dekretin e presidentit Bajram Begaj që vendosi datën 9 nëntor si ditën kur do të mbahen zgjedhjet lokale për bashkinë e kryeqytetit.

Zyrtarisht kjo gjykatë tha se vendimi u mor njëzëri dhe se padia e ish kryebashkiakut Erjon Veliaj kalon në seancë plenare publike që do të mbahet në datën 31 tetor.

Vendimi i pezullimit të dekretit të presidentit Begaj do të thotë se për Tiranën gjykata kushtetuese urdhëron të mos ketë zgjedhje lokale, ndërkohë që më herët avokatët e Veliaj e konsideruan shkelje të rëndë kushtetuese dekretimin e datës së zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës përsa kohë sipas mbrojtjes e trajtoi shkarkimin e Veliajt si një çështje administrative, duke prodhuar sipas tyre një akti juridik të pavlefshëm.

Po në kushtetuese Erjon Veliaj ka kundërshtuar edhe shkarkimin nga detyra e kryetarit të bashkisë së Tiranës, që nuk u paraqit në detyrë siç thotë ai për shkak të pamundësisë sepse është i paraburgosur.

Mbas kësaj padie avokatët shtuan edhe një pikë tjetër, ku kërkohej pezullim i dekretit derisa gjykata të shprehet për tërësinë e çështjes në themel.

Në një dosje me 30 të pandehur, Erjon Veliaj akuzohet nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash, ndërkohë që çështja është në seancë paraprake.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta