
Një akt dhune i rëndë ka tronditur sot qytetin e Vlorës.
Rreth orës 14:00, përballë tregut të Çoles, është dhunuar fizikisht Kozma Kukli, punonjës i Ndërmarrjes së Pastrimit, i cili ndodhet aktualisht në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin rajonal të Vlorës, raporton korrespondenti i Top Channel Mikel Marsi.
Sipas dëshmisë së vetë të moshuarit, dy persona janë afruar me një furgon, kanë zbritur dhe e kanë goditur pa asnjë paralajmërim.
Banorët përreth kanë ndërhyrë menjëherë, duke njoftuar ambulancën dhe policinë, ndërsa i moshuari është dërguar me urgjencë në spital. Mjekët bëjnë me dije se ka pësuar dëmtime të shumta në kokë dhe në syrin e djathtë, i cili rrezikon shikimin.
Për momentin, Policia e Vlorës nuk ka dhënë ende një deklaratë zyrtare mbi ngjarjen. Megjithatë, zona ku ndodhi sulmi është e mbuluar nga kamera sigurie, çka pritet të ndihmojë në identifikimin e autorëve.
Top Channel