
Të paktën 24 persona janë vrarë dhe 47 të tjerë janë plagosur gjatë një proteste kundër qeverisë ushtarake të Myanmarit, pasi një parashutë motorike e ushtrisë hodhi dy bomba mbi turmën e njerëzve.
Sulmi ndodhi të hënën në mbrëmje, në kohën kur rreth 100 persona ishin mbledhur në rajonin Chaung U, në qendër të Myanmarit, për të festuar një festë kombëtare.
Që prej vitit 2021, kur ushtria mori pushtetin, duke shkaktuar një luftë civile me grupe rezistence dhe milicia etnike, mijëra kanë humbur jetën dhe miliona janë zhvendosur.
Pas humbjes së kontrollit mbi më shumë se gjysmën e territorit, ushtria po përparon përsëri me një fushatë të ashpër bombardimesh ajrore dhe sulmesh të egra.
Rajoni i sulmuar është pjesë e provincës Sagaing, një prej zonave kyçe të konfliktit. Shumë zona kontrollohen nga milicia vullnetare e quajtur Forca e Mbrojtjes së Popullit (PDF), krijuar pas grushtit të shtetit për të luftuar qeverinë ushtarake.
Një zyrtar i PDF-së lokale i tha BBC-së se kishin marrë informacion për një sulm të mundshëm ajror gjatë protestës së së hënës.
Ata tentuan të ndërprisnin shpejt protestën, por parashutat motorike arritën më herët sesa pritej, tha ai.
Ngjarja zgjati vetëm shtatë minuta. Zyrtari tha se kishte plagosur këmbën, por disa persona pranë tij u vranë në shpërthim.
Banorët lokalë thanë se pas sulmit ishte e vështirë të identifikoheshin trupat.
Top Channel