“Më mungon goli, por më bukur është kur fitojmë”/ Broja para ndeshjes me Serbinë: Kemi shanse maksimale për Botëror, të luftojmë deri në fund

08/10/2025 12:02

Pak ditë na ndajnë nga dueli i shumëpritur me Serbinë, aty ku Shqipëria do të luajë të gjitha shanset e saj për një vend në “Play Off”-in e Botërorit 2026.

Sulmuesi i Kombëtares, Armando Broja, u ndal te mungesa e golit, i cili u shpreh se rëndësi ka vetëm ndihma për skuadrën që të marrë tre pikët.

“Për mua më e rëndësishme është të fitojmë ndeshjet dhe të marrim tre pikët. Normalisht që kam qejf të bëj gola, por më bukur është të fitojmë ndeshjen dhe të ndihmoj ekipin.

Kjo është një ndeshje futbolli. Është shumë e rëndësishme, por ne jemi shumë të fokusuar sepse është ndeshje e madhe. Luajmë jashtë shtëpie. Bashkë si skuadër do bëjmë çfarë duhet në fushë.

Ka mundësi të bëj gola dhe në krahun e djathtë të sulmit. Unë kam dëshirë vetëm të ndihmoj ekipin. Edhe trajneri më thotë që duhet të jem i përqendruar, sepse rasti do të dalë. Në ndeshje mund të ketë vetëm një rast dhe të jem i fokusuar te ai rast për të shënuar.

Kemi shanse maksimale. Është grup i vështirë, sepse kemi dhe Anglinë. Do të luftojmë deri në fund. Kjo është ndeshje shumë e rëndësishme dhe jemi të fokusuar ta fitojmë”, u shpreh Broja.

Sfida do të luhet më datë 11 tetor në orën 20:45 dhe do të transmetohet drejtpërsëdrejti në DigitAlb.

Top Channel