
“Mesdheu dhe Europa në letërsinë bashkëkohore” është motoja e edicionit të njëmbëdhjetë të Festivalit letrar për të rinj, që çeli siparin këtë të mërkurë në kryeqytet.
Me një homazh ndaj Mesdheut si hapësirë që mban gjallë kulturën e shkruar, “Tirana Gate” synon të rrisë dialogun ndërkulturor.
Irena Toçi: Mesdheu është një kujtesë e përbashkët, një mozaik kulturash, një nyje takimesh dhe shpesh herë edhe përplasjesh, një teatër i hapur ku breza të tërë kanë interpretuar dramën e jetës së tyre. Ky det nuk është vetëm një shtirje e kaltër mes brigjeve, por një metaforë e qëndrimit, e të rezistuarit, e të pranuarit të tjetrit dhe mbi të gjitha, të mbrojturit e kulturës sonë autentike.
Për organizatorët, Mesdheu mbetet një ftesë për të mos harruar, për të mos humbur mes dallgëve, është kujtesë e gjallë që qëndrimi nuk është vetëm rezistencë, por edhe mundësi për të mbjellë frymëzim.
Milena Selimi, drejtuese artistike e festivalit: Mesdheu është një det që tregon histori migrimi, largimesh, eksodesh, larg nga mohimi i rëndësisë pasuruese të zbulimit, ky edicion i festivalit në vend që të përqendrohet te Odiseja, do të përqëndrohet te Penelopa. E dimë që Odiseja do të kthehet në shtëpi, por neve në këtë edicion na intereson Penelopa, ajo që reziston, që bën të lumtur Odisenë të kthehet në vatrën e tij.
Përmes paneleve të ndryshme, autorët shqiptarë e të huaj do të diskutojnë sfidat dhe problematikat e letërsisë së sotme. I pranishëm në forumin e parë ishte gazetari e shkrimtari Namik Dokle, që theksoi se letërsia është në luftë të përhershme me censurën. Sipas tij, pa lirinë e fjalës, s’mund të kemi letërsi të lirë.
Namik Dokle, gazetar, shkrimtar: Nuk mund të themi që janë absolutisht të lirë dhe këtu ndikojnë shumë faktorë, ndikon predispozicioni i autorit, ndikojnë edhe pronarët e shtëpive botuese. Ndikon po ashtu, marrëdhënia e shtetit me kulturën dhe do të thosha që marrëdhënia e shtetit me letërsinë në veçanti, nuk është për t’u pasur zili.
Dokle këshillon autorët e rinj të njohin dhe përjetojnë nga afër realitetin dhe shoqërinë e sotme.
Namik Dokle, gazetar, shkrimtar: Shkrimtarët e rinj duhet të jenë shumë pranë këtyre realiteteve që të mos humbasin rrugën në pyllin e hershëm të konkurrencave letrare.
Pjesë e festivalit që do të vijojë për tre ditë me radhë në ambientet e Liceut Artistik do të jenë autor të rinj e të karrierës nga vendi, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Greqa, Turqia, Italia e Serbia.
Top Channel