“Është koha për një kapitull të ri”, Angelina Jolie gati të largohet nga SHBA-ja

08/10/2025 21:44

Angelina Jolie dëshiron një fillim të ri në jetën e saj duke u larguar nga SHBA-ja

Ylli i Hollivudit nuk e ka fshehur kurrë dëshirën e saj për t’u vendosur në një vend tjetër pasi fëmijët e saj të jenë rritur.

Që në vitin 2019, ajo i kishte thënë Harper’s Bazaar se jetonte në Los Angeles vetëm sepse fëmijët e saj kishin nevojë të ishin pranë babait të tyre, Brad Pitt. Dy yjet, të cilët u divorcuan në vitin 2016, kanë gjashtë fëmijë, Maddox 24-vjeçar, Pax 21-vjeçar, Zahara 20-vjeçare, Shiloh 19-vjeçare dhe binjakët 17-vjeçarë Knox dhe Vivienne.

“Do të doja të jetoja jashtë vendit dhe do ta bëj sapo fëmijët e mi të mbushin 18 vjeç”, kishte thënë ajo në atë kohë. Tani, burime i tregojnë Us Weekly se Jolie ende e ka këtë qëllim dhe se planifikon të shpërngulet pas ditëlindjes së binjakëve, në korrik.

Do të jetë një kapitull i ri për aktoren 50-vjeçare, e cila ka luftuar për tetë vjet divorcin e saj nga Brad Pitt. “Vërtet mund të ndjesh një ndryshim tek Angelina kohët e fundit. Ajo duket më e qetë”, tha një burim. “Ajo gjithmonë do ta dojë Los Anxhelosin, por ndien sikur e ka përmbushur qëllimin e saj në jetë. Është gati për kapitullin tjetër”, shtoi një burim tjetër, ndërsa një tjetër shtoi: “Ajo është shumë e emocionuar për këtë fazë të re të jetës së saj”.

Jolie ka lidhje të forta me shumë vende. I njëjti burim tha se ajo ka të ngjarë të kalojë një pjesë të kohës së saj në Kamboxhia, ku zotëron prona dhe nga ku adoptoi Maddox në vitin 2002, si dhe në Francë (ku binjakët lindën në Nicë) dhe Afrikë (Zahara është me origjinë nga Etiopia dhe Shiloh lindi në Namibi).

“Janë të gjitha vende shumë të veçanta”, tha burimi. “Ajo ka miq të ngushtë në secilin prej tyre, njerëz që i konsideron familje. ” “Jeta ime ka qenë gjithmonë ndërkombëtare”, tha ylli i Hollivudit në Festivalin e Filmit në San Sebastian shtatorin e kaluar.

Aktorja, e cila aktualisht është në Londër duke xhiruar filmin e saj të ri në Netflix “Anxious People”, me djalin e saj, Maddox, i cili punon si asistent regjisor, planifikon të vazhdojë të drejtojë dhe prodhojë filma jashtë Amerikës. “Ajo do të vijë e të kthehet në Los Angeles për punë, por nuk do ta quajë më shtëpi”, shpjegoi burimi i dytë, duke shtuar se Jolie planifikon të shesë rezidencën e saj prej 24.5 milionë dollarësh në Los Feliz shtatorin e ardhshëm. “Ajo është gati të përqendrohet më shumë në regji dhe prodhim”, tha një burim tjetër.

Puna e saj humanitare do të mbetet gjithashtu në qendër të vëmendjes. Nga viti 2001 deri në vitin 2012, ajo shërbeu si Ambasadore e Vullnetit të Mirë për Komisionerin e Lartë të OKB-së për Refugjatët, dhe nga viti 2012 deri në vitin 2022 si e dërguar speciale. “Ajo planifikon të vazhdojë t’u japë diçka mbrapsht komuniteteve në Kamboxhia, Vietnam dhe Afrikë, të udhëtojë, të rrisë ndërgjegjësimin dhe të vazhdojë punën e saj me OKB-në”, tha një nga burimet. “Ajo mezi pret të jetë pranë njerëzve me të njëjtat vlera.”

Jolie nuk ka plane të largohet nga fëmijët e saj. “Ata ndoshta do ta mbajnë bazën e tyre në Los Angeles për studimet dhe karrierën e tyre, por do të kalojnë kohë me të kudo që të jetë. Të gjithë fëmijët janë shumë krijues dhe kanë trashëguar natyrën artistike të prindërve të tyre.”

Secili prej tyre ndjek rrugën e vet. Maddox punon përkrah nënës së tij në projektet e saj filmike dhe ka pasion për regjinë, Shiloh merret me vallëzim, Zahara po studion në Kolegjin Spelman, Pax planifikon të lançojë linjën e tij të veshjeve dhe është gjithashtu i përfshirë në fotografi.

Nga ana tjetër, Vivienne, e cila punoi si asistente producente në muzikalin “The Outsiders”, planifikon të studiojë aktrim, dhe Knox është e përfshirë në Muay Thai dhe së fundmi fitoi një konkurs Muay Thai në Los Angeles.

“Fëmijët e Angelinës janë forca e saj lëvizëse. Ajo e di se do të ketë shumë punë për të bërë kur të largohet nga Los Angeles”, tha një burim për Us Weekly.

Top Channel