“Duelin me Serbinë do e shohim vetëm si ndeshje futbolli”/ Ajeti: Nuk kam këshilla për sulmin, në mbrojtje të mbajmë portën e paprekur

08/10/2025 12:00

Shqipëria do të luajë “finalen” e saj për një vend në “Play Off”-et e Botërorit 2026, me kuqezinjtë që më 11 tetor do të zbarkojnë në Leskovc për t’u përballur me Serbinë.

I pyetur për këtë ndeshje, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Arlind Ajeti tha:

“Normalisht që emocionet i kemi përpara çdo ndeshje. Edhe këtë ndeshje do e shohim vetëm si një ndeshje futbolli. Do mundohemi të jemi profesionist në çdo aspekt. Ne shkojmë për të dhënë maksimumin dhe të marrim tre pikë. Emocionet janë të larta, por do të jemi profesionistë.

Besoj që Serbia në çdo rol ka cilësi të lartë. Në sulm kanë lojtarë si Mitrovic që është fizikisht shumë i fortë, Vlahovic që ka pasur ndeshje të mira me Juventus. Do analizojmë çdo futbollist dhe të jemi të përgatitur në çdo rast.

Atje s’do kemi tifozë, por prapëseprapë do japim maksimumin dhe shpresoj t’ia dalim.

Këshilla nuk besoj se mund t’i japim ne sulmuesve. Shpresoj që rastet që do kemi, t’i shfrytëzojmë. Mbrapa do përpiqemi ta mbajmë portën e paprekur”.

Sfida do të luhet më datë 11 tetor në orën 20:45 dhe do të transmetohet drejtpërsëdrejti në DigitAlb.

Top Channel