Dick Van Dyke për pak muaj do të jetë 100 vjeç: Nëse do ta dija se do të jetoja kaq gjatë, do të kujdesesha më shumë për veten

08/10/2025 22:40

Dick Van Dyke do të mbushë 100 vjeç në dhjetor dhe pranon se nëse do ta kishte ditur se do të arrinte atë moshë, do të ishte kujdesur më mirë për veten, duke pohuar se në jetën e tij ka bërë vetëm gabime.

Aktori 99-vjeçar mori pjesë së fundmi në eventin Vandy High Tea në Malibu të Kalifornisë dhe bëri shaka për ditëlindjen e tij të 100-të, duke thënë me humor: “Zyrtarisht nuk jam 100 vjeç deri në dhjetor. Dy muaj. Dy muaj. Do të ishte qesharake nëse nuk do ta kisha arritur deri atëherë.”

Duke marrë një ton më serioz për këtë moment historik, Van Dyke shtoi: “Ndonjëherë mburrem që jam 100 vjeç, por e vërteta është se nëse do ta dija se do të jetoja kaq gjatë, do të isha kujdesur më mirë për veten. Dhe është frustruese, sepse nuk e di se çfarë bëra mirë. Përveç saj (gruas sime, Arlene), nuk bëra asgjë të mirë.

” Van Dyke u martua me Arlene Silver në vitin 2012. Çifti mori pjesë në Vandy High Tea për të mbledhur para për Van Dyke Endowment for the Arts dhe Muzeun Dick Van Dyke që do të hapet së shpejti. Më herët këtë vit, aktori bëri bujë kur anuloi një tjetër event për fansat sepse dukej se nuk ndihej mirë.

“Kur je 99.5 vjeç ke ditë të mira dhe të këqija – njësoj si kur je 40 vjeç, ke ditë të mira dhe të këqija”, shpjegoi Silver në atë kohë. “Fatkeqësisht, sot nuk është një ditë e mirë për të, dhe ai është i sëmurë, kështu që nuk mundi të vinte”, tha ajo.

Në një intervistë me Variety vitin e kaluar, me rastin e emisionit special të CBS, Dick Van Dyke: 98 vjet magji, aktori kishte folur për rrugën e tij në Hollywood, duke theksuar se çdo gjë që bënte i jepte kënaqësi. “Kam shijuar çdo gjë që bëja – dhe jo shumë njerëz mund ta thonë këtë”, kishte rrëfyer ai.

Sa i përket trashëgimisë që lë pas, ai theksoi se ishte një shembull i mirë për të rinjtë. Siç kishte thënë ai: “Mendoj se kam dhënë një shembull të mirë për brezin e ri. Mendoj se kam një ndikim pozitiv te fëmijët dhe e shoh këtë në letrat që marr – e kuptoj që kam lënë një gjurmë të mira. Ata duan ta imitojnë atë sjellje. Dhe kjo, mendoj, është ajo që e bën gjithçka që arrijmë vërtet të vlefshme. Jam shumë i lumtur që ndikimi im ishte pozitiv dhe jam plotësisht i kënaqur me këtë.”

Top Channel