Vdekja e 3-vjeçarit Brian Spahiu, reagon Ina Xhaxho: Ajo që më mban gjallë nuk janë numrat, por..

07/10/2025 10:54

Pas vendosjes së masës së sigurisë, Ina Xhaxho ka reaguar për herë të parë me një mesazh në rrjetet sociale.

E përfshirë në rastin tragjik të vdekjes së 3-vjeçarit Brian Spahiu, Xhaxho ndan përvojën e saj si profesioniste, duke shprehur dhimbjen, mirënjohjen dhe misionin që ajo ka ndjekur në më shumë se një dekadë punë pranë pacientëve.

Ajo shprehet se “Ajo që më mban gjallë nuk janë numrat, por zemrat që kam prekur”.

Babai i saj Roland Xhaxho u la në masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’.

Reagimi i plotë:

Me shpirt e me dashuri

Ka më shumë se 10 vite që rrugëtimi im profesional ka qenë pranë jush. Në çdo buzëqeshje kam parë shpresë, në çdo lot kam ndjerë dhimbje, dhe në çdo përqafim – dashuri të pastër.

Nuk kam qenë thjesht mjekja juaj. Shpesh kam qenë njeriu që ka qarë me ju, është gëzuar me ju, ju ka përqafuar në heshtje dhe ju ka dhënë kurajë kur bota ju dukej e rëndë.

E kam zgjedhur këtë rrugë jo sepse është e lehtë, por sepse është thirrja ime. Sepse çdo herë që shoh një nënë me sy të mbushur me lot falënderimi, çdo fëmijë që buzëqesh pas trajtimit, çdo shpirt që rigjen qetësinë – ndjej se jam aty ku duhet.

Nuk ka shpërblim më të madh se të prekësh një jetë me dashuri dhe kujdes.

Më kanë thënë shpesh:
“Mos u lodh kaq, mos u ngarko emocionalisht, bëhu si të tjerët — merre më lehtë, merri rastet si turizëm dentar…”

Por unë nuk di të jem ndryshe. Nuk di të jetoj pa shpirt në atë që bëj.

Ajo që më mban gjallë nuk janë numrat, por zemrat që kam prekur. Janë lutjet dhe mirënjohja e prindërve që shohin tek unë një dritë shprese.

Sot, pas më shumë se 2000 pacientësh, ndjej vetëm falënderim.

Për secilin që më ka besuar, për secilin që më ka dhuruar një pjesë të shpirtit të tij. Ju më keni bërë njeri më të fortë, më të butë dhe më të përulur.

Dhe mbi të gjitha…
Faleminderit nga zemra Profesorit tim, njeriut që me 47 vite përvojë mbi supe ka qenë drita që më ka udhëhequr çdo ditë.

Ky është misioni im.
Jo thjesht një punë.
Dashuri e pastër. Dhimbje. Shpresë. Jetë.

Top Channel