Tensione në Udine para ndeshjes Itali–Izrael/ Situata të rënduar, protesta dhe masa ekstreme sigurie

07/10/2025 21:03

Ndeshja kualifikuese për Kupën e Botës mes Italisë dhe Izraelit, që do të zhvillohet më 14 tetor në Friuli-Dacia Arena në Udine, po shoqërohet me tensione të larta politike e shoqërore, siguri të shtuar dhe shitje të ulëta biletash.

Ngjarja vjen vetëm disa ditë para përvjetorit të sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, çka ka ngritur ndjeshëm shqetësimet për rendin publik. Kryetari i Bashkisë së Udines, Alberto Felice De Toni, kërkoi shtyrjen e ndeshjes, duke thënë se “klima nuk është e përshtatshme për një festë kombëtare”.

Megjithatë, Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, deklaroi se ndeshja do të luhet, duke theksuar se “sporti duhet të bashkojë dhe përgjegjësia sportive është ndarë nga ajo politike”.

Ekipi i Izraelit do të akomodohet në një strukturë të fshehtë dhe të mbrojtur, nën masa të rrepta sigurie që përfshijnë forca speciale, kontrolle të përforcuara të zonave të ndjeshme, si stacione, parkingje dhe vende të komunitetit hebraik.

Ndërkohë, janë paralajmëruar protesta nga grupet pro-palestineze, përfshirë një marshim të madh ditën e ndeshjes, ku pritet të marrin pjesë mbi 6 mijë persona.

Tensionet u shtuan nga akuza të partive të majta për praninë e mundshme të agjentëve të shërbimit sekret izraelit, Mossad, gjatë ngjarjes. Qeveria italiane dhe Departamenti i Sigurisë Publike i kanë mohuar zyrtarisht këto pretendime.

Komuniteti Hebraik në Itali ka shprehur shqetësim për klimën anti-izraelite dhe praninë e parullave që “festojnë vrasësit”, duke e cilësuar situatën si të neveritshme dhe alarmante.

Ministri italian i sportit, Andrea Abodi, tha se vendimi për zhvillimin e ndeshjes i takon UEFA-s dhe FIFA-s, duke bërë thirrje për përmbajtje dhe diplomaci. “Nuk mund të promovojmë paqen me dhunë”, tha ministri i sportit.

Ndërsa trajneri i Italisë, Gennaro Gattuso, pranoi se atmosfera është e rënduar.
“Duhet të përqendrohemi te loja, edhe pse presioni është i madh. Nëse nuk luajmë, rrezikojmë humbjen 3-0 në tavolinë”, tha trajnieri.

Pritshmëria për ndeshjen është e ulët, me vetëm rreth 6 mijë bileta të shitura, ndërsa jashtë stadiumit priten mbi 10 mijë njerëz, përfshirë protestues dhe forca sigurie. Autoritetet i kanë vënë theksin ruajtjes së qetësisë, ndërsa qyteti mbetet në ankth për zhvillimin e një prej ndeshjeve më të diskutueshme të viteve të fundit.

Top Channel