
Albin Kurti e akuzoi Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë me premtime për vende pune dhe përfitime financiare.
Kryeministri në detyrë u shpreh se nuk i vendos emër tjetër deklaratave dhe veprimeve të presidentit Aleksandar Vuçiç dhe të aktorëve të tjerë serbë, shtetërorë dhe jo shtetërore.
“Premtimet për vende pune, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi me përfitime sociale dhe deklaratat e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë, se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë, siç bëri së fundi ish-kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçevic, e siç ka bërë vetë presidenti Vuçiç, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë”, shprehet Albi Kurti.
Këto komente, Kurti i bëri gjatë mbledhjes së qeverisë ku kabineti i tij ndau nga 100 euro për studentët e vendit për fillimin e vitit të ri akademik. Ai i bëri thirrje Bashkimit Europian ta dënojë ndërhyrjen e Beogradit në zgjedhjet e Kosovës dhe për këtë, ta ndëshkojë Serbinë. Vuçiç pohoi më herët për televizionin Pink në Serbi në fundjavë se “ne do t’i hapim 400 vende të reja pune në strukturën e kujdesit shëndetësor në Kosovë dhe 400 familje”.
“Kjo është diçka shumë e madhe për Kosovën, dhe ne do ta bëjmë këtë brenda dhjetë ditëve të ardhshme, në mënyrë që njerëzit ta dinë se ne do të kujdesemi gjithmonë për të”, tha ai.
Top Channel