Projekti TID në Qendrën Historike të Durrësit, banorët bëjnë kallëzim në SPAK

07/10/2025 13:44

Përfaqësues të banorëve të prekur nga Vendimi i Këshillit të Ministrave për shpronësimin e familjeve në zonën e Qendrës Historike të Durrësit kanë mbërritur sot në ambientet e SPAK.

Ata kanë dorëzuar një kallëzim penal, duke kundërshtuar mënyrën si po zbatohet projekti i zhvillimit urban (TID), i cili sipas tyre cenon të drejtat pronësore dhe procedurat ligjore.

Banorët shprehen të indinjuar se po u shkelen të drejtat si qytetarë dhe pronarë, pasi nuk janë konsultuar ashtu siç e detyron ligji dhe se po shpronësohen me vlera shumë të ulëta, që sipas tyre nuk u japin mundësi të blejnë një banesë të re. Ata theksojnë se protesta nuk ka karakter politik, por lidhet vetëm me mbrojtjen e pronave dhe të drejtave të tyre.

Vendimi i kundërshtuar nga banorët për shembjen dhe shpronësimin e 74 familjeve është marrë në kuadër të zbatimit të projektit TID (Transformimi i integruar i Durrësit) nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Banorët i bëjnë thirrje autoriteteve vendore dhe qendrore që të rishikojnë vendimin për shpronësim dhe të garantojnë transparencë në proces. Ata theksojnë se beteja e tyre do të vijojë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë.

Top Channel