Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dalë ndaj kreut të shtetit serb, Aleksandar Vuçic me akuzën e hapur se tentoi “të prishte takimin” e Bërdo-Brionit që u mbajt në Durrës.

Ajo pohoi për televizonin publik se Vucic iu drejtua samitit me “ofendime dhe arrogancë”.

“Natyrisht që për çdo propagandë që Vuçiçi synonte të prezantonte para pjesëmarrësve, ne si Republikë e Kosovës kishim argumentet tona të fuqishme, argumente në anën e së drejtës dhe argumente të cilat janë fuqizuar e mbështetur edhe nga e drejta ndërkombëtare, nëpërmjet mendimeve të GJND-së”, tha Osmani, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që vendosi se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008 nuk ishte shkelur ligjin ndërkombëtar”, tha Osmani

Gjatë samitit, sipas Osmanit, Vuçiç u ankua edhe për marrëveshjen në fushën e mbrojtjes që Kosova, Shqipëria dhe Kroacia arritën marsin e këtij viti. Edhe një herë, kryetarja e shtetit të Kosovës sqaroi se ky bashkëpunim ka për qëllim mbrojtjen.

“Në të gjithë historinë e ekzistencës sonë si komb ne asnjëherë nuk  kemi sulmuar askënd, nuk kemi pushtuar askënd, por gjithmonë e kemi mbrojtur dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë integritetin tonë territorial. Aleanca tona janë aleanca mbrojtëse për të na mbrojtur nga rreziqet që na vijnë nga të tjerët. Për Kosovën, rreziku na vjen nga Serbia kështu që ne do të vazhdojmë ta fuqizojmë ushtrinë tonë”, ishte komenti i saj.

Vuçiç vetë qe shprehur për mediat se gjatë takimit kishte pasur përplasje me Osmanin kur u diskutua për integritetin territorial, që sipas tij, çdokush e interpreton siç do.

“Imagjinoni kur Vjosa Osmani vjen dhe flet për integritetin territorial dhe mbrojtjen e integritetit territorial. Të rrotullohet stomaku dhe të gjithë e dëgjojnë dhe tundin kokën…”, deklaroi Vuçiç.

Top Channel