“Numërim i votave me elektronikë në qendrat e votimit”, PS del me propozim të ri për Reformën Zgjedhore: S’ka më arsye të grumbullohen në KZAZ

07/10/2025 12:35

Partia Socialiste vlerëson se procesi i numërimit të votave duhet bërë në qendrat e numërimit siç bëhej deri në vitin 2005, por duke i shtuar edhe teknologjinë që të përfundojë sa më shpejt.

Ky propozim i socialistëve vjen një ditë pasi kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla tha se maxhoranca do të ndërmarrë nismën për ngritjen sa më shpejt të komisionit për reformën zgjedhore.

Duke folur në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve, ku raportoi edhe kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, Ulsi Manja tha se tani nuk ka më arsye që numërimi të bëhet në KZAZ.

Duhet të adresohet shpejt procesi i numërimit të votave. Nëse do t’i kthehemi numërimit në qendrat e votimit është krejtësisht e mundur që edhe rezultati në Shqipëri do të dalë në një kohë rekord jo më shumë se 2 orë pasi mbyllet votimi. Shkaqet që na çuan te parashikimi i Kodit për numërimin e votave në qendra numërimi ka rënë. Ishin shkaqe dhe faktorë të tjerë atëherë që partitë e ndërmorën këtë veprim, që kishin të bënin me garantimin e procesit, shmangien e konflikteve në qendrat e votimit”, u shpreh Manja.

Sipas tij “Sot janë mbi 5 mijë qendra votimi, është krejtësisht e mundur që teknologjinë që e kemi të përqendruar në qendrat e grumbullimit të votave, ta shpërndajmë në gjithë Shqipërinë dhe ta bëjmë numërimin sapo mbyllet votimi. Ka ardhur koha të kalojmë te administrimi civil i procesit zgjedhor”.

Top Channel