
Një aventurë e re ka nisur për aktorët e Teatrit të Kukullave, që kanë nisur punën për “Librin e Xhunglës”, produksioni më i madh i këtij sezoni artistik. Për këtë shfaqje do të përdoren kukullave anatomike, me projeksione 360 gradë.
Regjisorja Ina Morinaj thotë: “Libri i Xhunglës nuk do të jetë thjesht një shfaqje. Është hera e parë që bëhet një projekt i këtyre përmasave, qoftë për nga rëndësia veprës, rëndësia e kukullave që janë për herë të parë kukulla antomike, përafrohen me përmasat e kafshëve reale. Do të jetë një hyrje në xhungël dhe një prekje nga afër e të gjitha emocioneve që ka për të dhuruar shfaqja”.
Në fillim të muajit nëntor, kur do ketë premierën shfaqja, do të zbulojmë botën e Moglit, që do të interpretohet nga Juxhin Plovishti.
“Ka përgjegjësi shumë të madhe, sepse të gjithë fëmijët e njohin si karakter. Për mua është kënaqësi e madhe dhe jam i bindur që do t’ia dalim, së bashku me trupën e aktorëve të Teatrit të Kukullave. Është një shfaqje gjigande, ka elementë fantastikë, elementë surprize dhe magjie…”, thotë aktori.
Bazuar në veprën e Rudyard Kipling, shfaqja e konceptuar për të gjitha grupmoshat, ju fton në xhunglën e mbushur me personazhe që do t’i japin jetë.
“Akila është ujku që e rrit Moglin në tufën e tij, ndërsa Baluja që jam unë, ka për detyrë t’i mësojë Moglit rregullat dhe ligjet e Xhunglës”, shprehet aktori Aleksandër Grami.
Aktori tjetër, Erdit Asllanaj, thotë: “Janë kafshë në skenë, por me mesazhe për njerëzit, për Xhunglën ku jetojmë ne, se si të sillemi, si të bashkëpunojmë dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin”.
Pjesë e kalendarit artistik të Teatrit të Kukullave janë disa shfaqje premirë, që do të argëtojnë fëmijët.
Drejtoresha e Teatrit të Kukullave, Melsi Qirici thotë: “Projekti i dytë i madh i këtij sezoni është Meri Popins. Është një muzikal, jo vetëm për fëmijët, por për të gjithë familjen”.
Gjatë këtij muaji, do të do të rivihet në skenë “Zemërimi i Shkronjave”, vepra historike që rikthehet pas katër dekadash për të edukuar dhe frymëzuar të vegjëlit.
“Mendoj se ‘Zemërimi i Shkronjave’ ka filluar rrugën e një trashëgimie dhe pasurie, që ne do t’ia lëmë fëmijëve në të ardhmen dhe shpresojmë shumë që edhe vitin tjetër të sjellim një projekt të ngjashëm për të rivitalizuar shfaqjet e vjetra të Teatrit të Kukullave”, shton Qirici.
Top Channel