Ekipi kombëtar italian po përballet me një mungesë serioze golash, dhe trajneri Gennaro Gattuso po kërkon alternativa për të forcuar repartin ofensiv.

Me pak sulmues italianë që luajnë rregullisht titullarë në Serie A apo në ligat kryesore europiane, tekniku i Italisë po mendon të ndjekë “rrugën Mancini” — duke kërkuar natyralizimin e një talenti të ri me potencial të lartë.

Në qendër të vëmendjes është Nicolò Tresoldi, sulmuesi 21-vjeçar i lindur në Cagliari, por i rritur në Gjermani. Aktualisht pjesë e Club Brugge, ai ka spikatur me 6 gola në 17 paraqitje për kombëtaren gjermane U21.

Gattuso ishte personalisht në tribuna në Bergamo javën e kaluar për ta vëzhguar nga afër gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Atalantës, ku Tresoldi dha asistin për golin e parë të belgëve.

Falë karakteristikave të tij teknike dhe fizike, Tresoldi shihet si partner ideal për Mateo Reteguin ose Moise Kean, dyshen mbi të cilën Gattuso dëshiron të ndërtojë ofensivën e së ardhmes. Federata Italiane e Futbollit (FIGC) po shqyrton mundësinë e ndryshimit të statusit të lojtarit, i cili ka shtetësi të dyfishtë, për ta bërë atë të përshtatshëm për përfaqësimin e Italisë.

Vetë lojtari ka lënë të hapur derën për një të ardhme me “Azzurrët”. “Rregullat e lejojnë dhe telefoni im është i ndezur,” tha ai pas ndeshjes me Atalantën. “Nëse Gattuso do të donte të fliste me mua, do të isha shumë i lumtur. Për momentin jam i përqendruar te Gjermania U21, por për të ardhmen… do të shohim.”

Nëse projekti i Gattusos konkretizohet, Italia mund të ketë shumë shpejt një emër të ri në sulm, duke ndjekur shembullin e suksesshëm të Reteguit në Kombëtaren “Azzurra”.

Top Channel