
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar pas sulmit të armatosur ndaj kandidatit të saj dhe bartësit të listës në komunën e Likovës, dr. Zekirija, i cili u qëllua nga persona të maskuar para ndërtesës së Komunës së Kumanovës dhe mbeti i plagosur.
Sipas njoftimit të BDI-së, fatmirësisht jeta e tij është jashtë rrezikut dhe ai po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.
“Ne dënojmë ashpër këtë akt barbar dhune dhe kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike të reagojnë menjëherë, me transparencë të plotë dhe me vendosmëri, për të identifikuar, arrestuar dhe sjellë para drejtësisë autorët e këtij atentati,” thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia u ka bërë thirrje mbështetësve dhe qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve.
Në shenjë solidariteti me të plagosurin dhe për të theksuar seriozitetin e ngjarjes, BDI ka vendosur të pezullojë aktivitetet e ditës së sotme, derisa institucionet të ndërmarrin hapa konkretë për garantimin e sigurisë publike dhe rendit.
Top Channel