U vetshpall kandidate për Tiranën, Adriana Kalaja kërkesë Berishës: Vendimi për të mbështetur një emër jopartiak, s’ka moral. Flamur Noka shkel Statutin

06/10/2025 13:57

Kandidatja vetëshpallur për Bashkinë e Tiranës nga radhët e Partisë Demokratike, Adriana Kalaja i ka kërkuar Sali Berishës të shfuqizojë vendimin e marrë në fundjavë ku i hapte rrugë emrave jopolitikë për tu mbështetur nga opozita në 9 Nëntor.

Në një kërkesë me cilësinë e Kryetares së Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit, ajo thotë se ky vendim i Kryesisë së PD-së bie ndesh me statusin e partisë, gjithashtu moszgjedhja e një kandidature politike forcon tezën se demokratët kanë frikë të hyjnë në garë.

“Ky vendim në aspektin moral dhe politik, ndikon negativisht te strukturat e degëve të PD së pasi tregon frikë dhe mos pranim të hyrjes në garë, dhe mbi të gjitha, nuk mund të pranohen si  kandidatura persona që nuk kanë dhënë asnjë kontribut për Tiranën dhe qytetarët e saj. Për të mos folur që një pjesë e tyre i kanë shërbyer regjimit, nëse vijoni të mbani tezën se ne jetojmë në regjim. Ndërkohë që, duhet të shërbente si një arsye shumë e mire, për aktivizimin e strukturave dhe të mbështetësve, duke e konsideruar një “trampoline” për zgjedhjet e vitit 2027”, shkruan Kalaja.

Sipas saj “ky vendim bie ndesh moralisht dhe politikisht, edhe me kauzën e ngritur të luftës nga Soros dhe fondacionit të tij në Shqipëri, nisur nga dëmet e mëdha që ka bërë ndaj Jush Z. Berisha, ndaj PD-së por edhe opozitës shqiptare, përsa kohë që gjatë negociatave, nuk ka patur një kriter ndalues lidhur me këtë pikë shumë të rëndësishme. Ose deklaroni që kemi hequr dorë nga kjo kauzë”.

“I qëndroj argumentave që kam dhënë disa herë me shkrim dhe me gojë se, Sekretari i Përgjithshëm vijon të shkel Statutin, duke mos më përfshirë në mbledhjet e Kryesisë si anëtare pa votë dhe për të ndaluar këto shkelje të rënda që po bëhen në vijimësi nga Kryesia, përsa kohë që bie argumentimi pa bazë ligjore i “konfliktit të interesit”, kur në Kryesi janë disa anëtarë në konflikt të pastër interesi”.

Top Channel