U dogj e gjallë pasi dyert e makinës nuk u hapën, prindërit e studentes 19-vjeçare akuzojnë kompaninë e Elon Musk

06/10/2025 14:41

Një studente 19-vjeçare humbi jetën në një aksident tragjik me një Tesla Cybertruck, pasi mbeti e bllokuar brenda automjetit që mori flakë, për shkak të një defekti të dyshuar në dizajnin e dyerve, sipas një padie të re kundër kompanisë së Elon Musk.

Krysta Michelle Tsukahara, studente në vitin e dytë në Savannah College of Art and Design, humbi jetën së bashku me shokët e saj Soren Dixon (19) dhe Jack Nelson (20) në nëntor të vitit të kaluar, pasi makina u përplas me një pemë me shpejtësi të lartë në Piedmont, Kaliforni dhe shpërtheu në flakë.

Një pasagjer i katërt mbijetoi falë ndihmës së një dëshmitari që theu dritaren me një degë peme.

Sipas padisë 36-faqëshe për “vdekje të padrejtë”, Krysta kishte pësuar fillimisht vetëm lëndime të lehta, por humbi jetën nga djegiet dhe thithja e tymit, pasi nuk arriti të dilte nga makina. Dokumenti thekson se dyert elektrike të Cybertruck mund të dështojnë kur ndërpritet furnizimi me energji, ndërsa mekanizmi manual i hapjes ishte “shumë i vështirë për t’u gjetur” në një situatë emergjente.

Prindërit e saj, Carl dhe Noelle Tsukahara, akuzojnë Teslën se kishte dijeni prej vitesh për këtë problem, por nuk e zgjidhi.

“Krysta ishte një vajzë e zgjuar, e dashur dhe me një të ardhme përpara. Vdekja e saj ishte e parandalueshme,” u shpreh avokati i familjes, Roger Dreyer.

Aksidenti ndodhi ndërkohë që shoferi, Soren Dixon, kishte konsumuar alkool mbi kufirin ligjor dhe kokainë, çka sipas hetimit paraprak të Highway Patrol ishte shkaku kryesor i humbjes së kontrollit. Megjithatë, familja insiston se dizajni i Teslës i pengoi pasagjerët të shpëtonin.

Ky rast vjen pas disa incidenteve të ngjashme:

Në Gjermani, muajin e kaluar, tre persona u dogjën brenda një Tesla pasi dorezat e dyerve nuk funksionuan.

Në Florida, një gjykatë vendosi mbi 178 milionë dollarë dëmshpërblim për familjen e një studenti të vrarë nga një Tesla jashtë kontrollit.

Tesla ende nuk ka komentuar mbi akuzat.

Tragjedia ka hapur debate të forta mbi sigurinë e modeleve të kompanisë dhe mbi përgjegjësinë e saj ligjore në aksidente ku dizajni i automjeteve pengon shpëtimin e pasagjerëve.

Top Channel