“Të lumtë dora” fjala që vret më shumë se plumbi në sallën e gjykatës së apelit

06/10/2025 21:32

Opinion nga Kristi Gongo

“Të lumtë dora” është plumbi i rradhës që më drodhi trupin, që po na vret të gjithëve. Edhe pse jo e lëshuar nga arma që goditi gjyqtarin brenda sallës së Gjykatës, fjalët e nxjerra në hapësirën digjitale më fusin po aq tmerrin. Shoqëria jonë është aq e etur për dhunë, aq e lodhur së kërkuari drejtësi dhe të mos e gjeturi të drejtën, saqë mirëpret vrasjen monstruoze, mbështet aktin kriminal të një të riu, që pushteti gjyqësor nuk i njohu pronën që pretendonte institucion më institucion se i përkiste. Aq shumë vjedhje, korrupsion, padrejtësi duket se është ushqyer në këtë vend saqë mllefi ka vrarë neuronet, lodhja ka shuar logjikën dhe ping pongu institucional ka nxitur krimin.

Në raportin e Komisionit Europian për Sundimin e Ligjit 2025 në Shqipëri evidentohet se perceptimi i qytetarëve për nivelin e korrupsionit në sektorin publik mbeti i lartë. “Eurobarometri Special 2025 mbi Korrupsionin tregon se 86% e të anketuarve e konsiderojnë korrupsionin të përhapur në vendin e tyre (mesatarja e BE-së 69%) dhe 45% e të anketuarve ndihen personalisht të prekur nga korrupsioni në jetën e tyre të përditshme (mesatarja e BE-së 30%)”, citoj nga raporti. Pra tregues të qartë të mosbesimit në institucione, që shkojnë deri vetëgjyqësi. Këtu nuk dua të përkrah aktin e tmerrshëm, por dua të bërtas që proceset e zvarritura, drejtësia e vonuar, përplasjet e organeve njëra me tjetrën, po traumatizojnë shoqërinë dhe po na marrin shpirtin kujt me plumba, e kujt pak nga pak po e helmos me fjalë.

Sot, për mua, lajmi shokues i vrasjes së gjyqtarit nuk mbaron këtu, thellohet me komentet e mbështetjes së vrasësit. Madje kjo turmë virtuale shpreh dëshirën që Astrit Kalaja të mos ishte viktima e vetme. Dhe këtu është për të vënë duart në kokë. Justifikimi i krimit nuk duhet të marr frymë në shoqërinë tonë. Marrja e jetës i takon veç Perëndisë, ndaj ju lutem nëse nuk besojmë drejtësinë, besojini Zotit se do ju jap atë që meritoni. Vetëm besoni!

Top Channel