
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha shpalli sot kandidaturën e Florian Binajt si propozim të forcës më të madhe të opozitës për Bashkinë e Tiranës.
Megjithatë Berisha u tregua i rezervuar për të thënë fjalën e fundit, pa marrë më parë miratimin e të gjithë aleatëve.
Në konferencën për shtyp ai e cilësoi Binajn si një luftëtar kundër korrupsionit.
“Ai ishte për vite e vite me radhë, yll apo superyll i shfaqjes më të shikuar të vendit dhe në çdo rol, interpretimi i tij ishte më i pëlqyeri, ishte i përsosur. Florian Binaj është nga ata artistë që konsideron kauzat qytetare si kauzat e tij. Dhe të gjithë ju jeni dëshmitarë të betejave që ai ka bërë së bashku me të tjerë në mbrojtje të këtyre kauzave”- tha Berisha.
Kreu i demokratëve vlerësoi për herë të parë edhe qëndrimin e Adriatik Lapajt që e ka mbështetur publikisht emrin e Binajt.
“Tani, unë përgëzoj zotin Lapaj për mbështetjen që ka shprehur. Grupi ynë po takohet me radhë me aleatët dhe opozitarët. Mendoj se ne sugjerojmë të mbështesim një kandidaturë, për të cilën janë të vërteta çdo fjalë që thashë. Nuk ka arsye të mos mbështetet ai. Ai i bën nder qytetit, në qoftë se kemi parasysh qytetin, Florjan Binaj i bën nder qytetit. Nëse shohim pastaj në raporte partiake, ai nuk është partiak. Ai është një qytetar, është një njeri i kauzave qytetare, është një luftëtar kundër korrupsionit dhe kjo është një gjë shumë, shumë e çmuar…”, tha më tej Berisha.
Top Channel