Pas 16 vitesh në Parlament, ish-kryeministri grek jep dorëheqjen si deputet i “Syriza-s”/ Çfarë paralajmëron?

06/10/2025 09:41

Pas shumë zërave që qarkullonin javët e fundit për krijimin e një partie të re, ish-kryeministri grek Alexis Tsipras ka njoftuar sot dorëheqjen e tij nga posti i deputetit të partisë opozitare Syriza, përmes një mesazhi televiziv që u transmetua në të gjitha mediat e vendit.

Në fjalimin e tij, Tsipras e cilësoi vendimin si “një akt ndërgjegjeje”, duke theksuar se nuk po largohet nga politika, por nga “rehatia e pozitave zyrtare”, për t’u kthyer, siç tha ai, “në anën e shoqërisë dhe të njerëzve që kërkojnë ndryshim”.

Pasi shërbeva 16 vite në Parlament, si deputet, kryetar partie dhe kryeministër, vendosa të heq dorë nga mandati im. Nuk largohem nga politika, por nga privilegjet. Dua të rikthehem në jetën shoqërore, të dëgjoj më mirë shoqërinë dhe nevojat e saj”, shprehet Alexis Tsipras.

Tsipras, i cili drejtoi Greqinë në një nga periudhat më të vështira të krizës ekonomike, mbetet një nga figurat më polarizuese të politikës greke. Në vitin 2015 ai mori pushtetin me premtimin për t’i dhënë fund masave shtrënguese, por u detyrua të nënshkruajë një marrëveshje të re me kreditorët, gjë që i kushtoi politikisht.

Dorëheqja e tij vjen ndërsa sondazhet tregojnë një interes shpeshherë të kufizuar , por disa herë edhe me shifra pozitive për krijimin e një partie të re. Vërtet që vetëm 19% e grekëve shprehen pozitivisht ndaj kësaj ideje , por kaq ishte përqindja e SYRIZA-s në zgjedhjet e fundit të humbura kur ai e kryesonte në vitin 2023 dhe jo shumë larg shifrës prej 22% që I japin partisë në fuqi të konservatorëve grekë të njëjtat sondazhe.

Analistët vlerësojnë se ai mbetet një zë me ndikim të fortë në të majtën greke që është më e përçarë se kurrë dhe se hapi i tij i fundit mund të jetë preludi i një rikthimi të ri politik, në një reliev të paqëndrueshëm të politikës vendase me 9 parti në parlamentin grek.

Top Channel