Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, reagon SPAK: Ky akt i rëndë duhet të shërbejë si thirrje urgjente…

06/10/2025 18:50

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK, ka reaguar në lidhje me vrasjen në sallën e gjyqit në Apel, të gjyqtarit Astrit Kalaja.

Teksa i shpreh ngushëllime familjes, SPAK shpreh solidaritetin me të gjithë gjyqtarët , prokurorët dhe avokatët.

Ndër të tjera shkruajnë se ky akt duhet të shërbejë si thirrje për rritjen e sigurisë në institucionet e drejtësisë.

“Prokuroria e Posaçme dënon me forcë vrasjen e paprecedentë të gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, Tiranë. I shprehim ngushëllimet tona familjes së gjyqtarit Kalaja, të afërmve dhe kolegëve të tij në këtë moment të dhimbshëm.

Gjithashtu, shprehim solidaritetin tonë me të gjithë gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e sistemit të drejtësisë, të cilët përballen çdo ditë me sfida të mëdha në kryerjen e detyrës.

Ky akt i rëndë duhet të shërbejë si thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në gjykata, forcimin e masave mbrojtëse për gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e drejtësisë si edhe për një reagim të shpejtë institucional, për të ndaluar përsëritjen e akteve të ngjashme”, thuhet në reagim.

Top Channel