
Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë ka reaguar pas vrasjes në sallën e gjyqit të gjyqtarit Astrit Kalaja.
Humbja tragjike e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Astrit Kalaja, përbën një moment reflektimi të thellë mbi sfidat dhe rreziqet me të cilat përballen gjyqtarët shqiptarë në kryerjen e detyrës së tyre. Në këtë kontekst, trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë shpreh dhimbjen dhe solidaritetin e saj të plotë, duke ngritur njëkohësisht shqetësimin për nevojën urgjente të garantimit të sigurisë fizike, institucionale dhe morale të gjyqtarëve si themel i një shteti të së drejtës funksional.
DEKLARATË E TRUPËS GJYQËSORE TË GJYKATËS SË LARTË
Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë shpreh tronditjen dhe dhimbjen e thellë për ngjarjen tragjike që solli humbjen e jetës së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Astrit Kalaja, dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij.
Kjo ngjarje e rëndë është një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin gjyqtarët e Republikës dhe për gjendjen shqetësuese të infrastrukturës në të cilën funksionojnë shumë prej gjykatave shqiptare.
Në një shtet të së drejtës, gjyqtari duhet të ndjehet i mbrojtur dhe i respektuar në ushtrimin e detyrës së tij, jo vetëm nga pikëpamja fizike e infrastrukturore, por edhe përmes një klime publike të respektit dhe përmbajtjes në gjuhën që përdoret ndaj figurës së tij. Çdo formë denigrimi apo përbuzjeje ndaj gjyqtarit cenon autoritetin e drejtësisë dhe besimin e qytetarëve në shtetin ligjor.
Gjykata e Lartë vlerëson se garantimi i sigurisë fizike e institucionale të gjyqtarëve është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë shtetërore, që kërkon veprim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm.
Mbrojtja e gjyqtarëve është mbrojtje e vetë drejtësisë dhe e besimit të publikut tek shteti i së drejtës.
Top Channel