
Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar pas shpërndarjes së një materiali informues nga Sektori i Bibliotekës në adresë të deputetëve, ku ndër të tjera përmendej edhe emri i ish-diktatorit Enver Hoxha.
Në një sqarim zyrtar, Kuvendi thekson se materiali është pjesë e një praktike të rregullt të Sektorit të Bibliotekës, i cili u dërgon deputetëve informacione me karakter historik dhe arkivor, bazuar në burime të botuara nga institucione shkencore.
Reagimi:
Ky informacion është pjesë e praktikës rutinë të Sektorit të Bibliotekës, i cili i furnizon periodikisht deputetët me të dhëna historike dhe arkivore, me qëllim informimin e përgjithshëm për ngjarje, data apo elementë të tjerë me karakter historik.
Në rastin konkret, sektori ka shpërndarë një material që përfshin datat e lindjes dhe të vdekjes të disa figurave të historisë të shtetit shqiptar përgjatë muajit tetor, i bazuar tërësisht në të dhënat e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2008), fq. 957.
Kuvendi i Shqipërisë nuk ka planifikuar zhvillimin e ndonjë aktiviteti të veçantë në lidhje me figurat e përmendura në këtë material dhe nuk ka shprehur asnjë qëndrim vlerësues, pozitiv apo negativ, për asnjërën prej tyre.
Top Channel