Fiks Fare/ Skandal në Peshkopi, mishi i pavulosur dhe i pakontrolluar përfundon tek konsumatorët. Tregtari: Nuk ka vulë por është i freskët

06/10/2025 21:12

Një investigim i realizuar nga emisioni Fiks Fare ka zbuluar një shqetësim serioz në lidhje me sigurinë ushqimore në qytetin e Peshkopisë.

Një investigim i realizuar nga emisioni Fiks Fare ka zbuluar një shqetësim serioz në lidhje me sigurinë ushqimore në qytetin e Peshkopisë. Mishi i therur në mënyrë të pakontrolluar dhe pa standarde higjieno-sanitare po përfundon në tregun e konsumatorëve atje madje edhe në Tiranë, duke rrezikuar seriozisht shëndetin publik.

Informacioni fillestar erdhi nga një qytetar, i cili denoncoi një dyqan mishi në Peshkopi ku sipas tij shitej mish në kushte tejet të dyshimta dhe pa asnjë kontroll veterinar. Më shqetësuesja ishte fakti që dyqani ndodhej ngjitur me një tjetër dyqan që tregtonte plehra kimike dhe pesticide, pra një rrezik i dyfishtë për konsumatorin.

Gazetarët shkuan në dyqanin në fjalë, ku pronari pranoi hapur se brenda frigoriferëve ruhej mish i pavulosur dhe në vitrinë gjithashtu shitej mish i freskët i pa certifikuar. Ai pohoi se e kishte therur viçin në thertore, por veterineri nuk kishte qenë i pranishëm për të bërë kontrollin dhe vulosjen e mishit. Si justifikim, tha se kafsha kishte numër matrikulli, por veterineri nuk e gjente të regjistruar në sistem.

Kur u pyet nëse Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) kishte ushtruar ndonjëherë kontroll, tregtari paraqiti një dokument ku thuhej se është ushtruar kontroll, por nuk kishte asnjë detaj për çfarë ishte konstatuar dhe kjo datonte në muajin maj.
Ekipi i Fiks Fare më pas vizitoi thertoren “Emi”, ku u gjet një veteriner i cili pranoi se nuk qëndron gjatë gjithë kohës në thertore, por shkon vetëm kur e thërrasin dhe kur kafsha paraqitet me dokumentacion të rregullt nga ferma. Ai shtoi se çdo natë theren kafshë dhe shpesh ato nuk kontrollohen fare, ndërsa mishi përfundon edhe në tregun e Tiranës.

Pronari i thertores mohoi gjithçka dhe pretendoi se “çdo mish vuloset dhe kontrollohet”, por pasi telefonoi kasapin që kishte therur viçin në fjalë, ai pranoi se e kishte bërë këtë pa praninë e veterinerit. Madje, kasapi shtoi se kjo ndodh
shpesh.
Veterineri, i cili u rikthye në vendngjarje, sqaroi se nuk mund të certifikojë mishin e paidentifikuar dhe që nuk ka matrikull, duke fajësuar pronarin e thertores për këtë situatë.

Gazetarët e Fiks Fare kërkuan një reagim edhe nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Dibër. Drejtori i këtij institucioni, i cili ndodhej në një inspektim jashtë zyrës ditën e vizitës, dha një përgjigje zyrtare përmes emailit. Sipas tij, si dyqani i mishit ashtu edhe thertorja janë inspektuar në muajt maj dhe qershor, dhe gjatë këtyre
inspektimeve nuk janë konstatuar shkelje. Ndërsa për subjektin pranë dyqanit të mishit, AKU sqaroi se bëhet fjalë për një dyqan që tregton fara bujqësore.

Megjithatë, Fiksi solli me zë dhe figurë fakte konkrete që tregojnë se të dy subjektet kanë shkelur ligjin, duke therur dhe tregtuar mish të pakontrolluar dhe të pavulosur, në mungesë të plotë të standardeve të sigurisë ushqimore.
Ky rast ngre alarmin për një problem serioz me sigurinë ushqimore dhe kontrollin veterinar në zona të caktuara të vendit. Institucionet përgjegjëse duhet të ndërhyjnë menjëherë për të ndalur tregtimin e mishit të pasigurt dhe për të
garantuar shëndetin e qytetarëve.

Top Channel