Ekzekutimi i gjyqtarit në sallën e Apelit/ Top Channel zbardh dosjen, cili ishte konflikti i pronësisë së familjes së autorit? Xhaxhai i 30-vjeçarit: Vendimi skandaloz do të….

06/10/2025 21:00

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mesditën e sotme kryeqytetin, ku brenda në sallën e Gjykatës së Apelit Tiranë, menjëherë pasi dha vendimin për një çështje pronësie, gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje me tre plumba në kraharor nga 30-vjeçari Elvis Shkambi.

Ky i fundit dhe familja e tij, ishin në një proces gjyqësor me disa familje të tjera, për një çështje prone në Shkodër, e cila sot në Apel kaloi në favorin e palës tjetër dhe jo familjes Shkambi.

Autori pasi plagosi për vdekje gjyqtarin, plagosi po brenda Gjykatës së Apelit edhe babë e bir, që ishin pala tjetër në proces.

Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha ka siguruar dosjen që i është paraqitur Gjykatës së Apelit Tiranë, konkretisht gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, nga familja Shkambi, më 27 qershor 2025, ku parashtrojnë ankimimin kundër vendimit të gjykatës së Shkodrës për çështjen në fjalë.

Ky parashtrim është bërë dhe nënshkruar nga xhaxhai i autorit të vrasjes, Gjon Shkambi.

Ai i drejtohet Gjykatës së Apelit ndër të tjera me argumentimin se vendimi që Gjykata e Shkodrës ka marrë për këtë çështje, është skandaloz, dhe kërkonin rrëzimin në Apel dhe kalimin në favorin e familjes së tij.

Ky konflikt pronësie mes familjes Shkambi kundër 31 familjeve me ndihmë sociale në Shkodër, daton në vitin 2012.

Familja Shkambi ka pretenduar në këtë vit se është pronare e disa godinave në Shkodër, ku janë vendosur familjet në nevojë, me të cilat ishte në proces gjyqësor aktualisht. Familjet e tjera deklarojnë se janë vendosur aty që në vitin 1993, me urdhër të bashkisë Shkodër, në prona shtetërore.

Pjesë nga parashtrimi i Gjon Shkambit, në ankimimin e vendimit të Gjykatës së Shkodrës, drejtuar Apelit të Tiranës:

Ky ligj është bërë për ish pronarët dhe ka mbrojtur të drejtat e tyre. Çdo interpretim tjetër që i bëhet vendimeve të gjykatës dhe urdhrit të ekzekutimit, është joligjor dhe keqdashës.

Në vendimin me nr. 618 (3341), datë 11.07.2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër nuk ka treguar as minimumin e integritetit moral, as profesional, duke marrë një vendim tërësisht të pabazuar në ligj e fakte.

Në fillim të arsyetimit, Gjykata shprehet se objekt i gjykimit është mënyra dhe ligjshmëria e zhvillimit të procesit të ekzekutimit të titullit ekzekutiv. Më tej, Gjykata shprehet se janë paditësit ata që duhet të provojnë se veprimet apo mosveprimet e kryera nga përmbaruesi gjyqësor kanë cenuar të drejtat dhe interesat e tyre të ligjshme.

Pas kësaj pjese të arsyetimit, në dukje objektive dhe profesionale, Gjykata, papritur, fillon të bëjë interpretimin e titullit ekzekutiv.

Ndonëse më herët Gjykata u shpreh se paditësit duhet të provonin se veprimet e përmbaruesit cenonin interesat e tyre të ligjshme, ajo dështoi të identifikonte këto të drejta. Në asnjë moment, Gjykata, pavarësisht se konstatoi faktin se paditësit (të cilët, sipas ligjit duhet të ishin “ankues”) “zaptues”, nuk përmendi ndonjë nen, apo ligj të veçantë që mbron personat që mbajnë forcërisht pronën e dikujt tjetër.

Gjykata shton se vendimet e gjykatës në favorin tim janë “deklarative” dhe “njohëse”, duke harruar që për to është lëshuar një urdhër ekzekutimi, i cili mban një të drejtë të përfshirë në të.

Gjykata ka pranuar si provë të pakundërshtueshme “pohimin gjyqësor” të paditësve, të cilët, sipas saj, janë vendosur që në vitin 1993 në objektin që është në pronësinë time, gjë që është e pavërtetë dhe lehtësisht e provueshme për personat e gjobitur: Pal Rrethaj, Pashko Pepniku, Gjelosh Sufaj dhe Mirash Pepaj.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka injoruar krejtësisht vendimet e formës së prerë, të cilat kanë lënë në fuqi veprimet përmbarimore të Zyrës Përmbarimore Shkodër.

Kështu, me vendimin nr. 618 (3341), datë 11.07.2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka synuar zhvlerësimin e të paktën 5 vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër dhe Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjë që e bën këtë vendim të pashoq, pasi një vendim gjykate ndryshohet vetëm nga një gjykatë më e lartë.

Më herët, Zyra Përmbarimore Shkodër më kishte dorëzuar dy banesa, përkatësisht më datë 20.06.2023 dhe 29.06.2023, banesa të cilat kanë qenë në posedimin e paligjshëm të shtetasve Mark Colaj dhe Fran Mema.

Vendimi i Gjykatës përmendur më sipër është dhënë me qëllim intimidimin e Kryetarit të Zyrës Përmbarimore Shkodër, pasi, nëse dorëzimi i banesave do të ishte bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe vendimet e gjykatës, siç nënkuptohet në këtë vendim, ai do të mbahej përgjegjës para ligjit.

Ky vendim skandaloz, i gërshetuar me forma të ndryshme presioni, do të sillte më vonë pezullimin e ekzekutimit të urdhrit të ekzekutimit.

Vlen të theksohet se të njëjtat pretendime që janë shtruar nga personat e gjobitur që mbajnë forcërisht pronën time në këtë proces gjyqësor, janë shtruar edhe nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër në gjyqin e kundërshtimit të gjobës përmbarimore.

 

Top Channel