
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u ka bërë thirrje të gjithë palëve të përfshira në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Gaza që të “lëvizin shpejt”, ndërsa ndërmjetësit pritet të takohen sot në Egjipt për bisedime jo të drejtpërdrejta midis Hamasit dhe Izraelit.
Bisedimet vijnë pasi Hamasi ka pranuar disa pika nga një plan paqeje me 20 pika të propozuar nga SHBA, përfshirë lirimin e pengjeve dhe dorëzimin e qeverisjes së Gazës tek teknokratët palestinezë. Megjithatë, grupi kërkon negociata për çështje të tjera.
Në përgjigjen e tij, Hamasi nuk ka përmendur kërkesat kryesore të SHBA-së dhe Izraelit: çarmatosjen dhe përjashtimin nga roli i ardhshëm në administrimin e Gazës.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se bisedimet kanë qenë “shumë të suksesshme” dhe se “faza e parë pritet të përfundojë këtë javë”. Ai shtoi: “Po i kërkoj të gjithëve të lëvizin shpejt. Koha është vendimtare, përndryshe do të ketë gjakderdhje masive”.
Në një deklaratë për gazetarët, Trump tha se pret që lirimi i pengjeve të nisë “shumë shpejt”. Kur u pyet për fleksibilitetin e planit të tij të paqes, ai u përgjigj: “Nuk kemi nevojë për fleksibilitet, sepse pothuajse të gjithë janë dakord, por gjithmonë do të ketë disa ndryshime”.
“Është një marrëveshje e shkëlqyer për Izraelin, për botën arabe, për botën myslimane dhe për gjithë botën. Jemi shumë të kënaqur me të”, shtoi ai.
Ndërkohë, sulmet ajrore izraelite vazhduan në Gaza, pavarësisht thirrjes së Trump drejtuar Izraelit për të “ndaluar menjëherë bombardimet” që nga e premtja, pas reagimit të Hamasit ndaj planit të propozuar.
Zëdhënësja e qeverisë izraelite, Shosh Bedrosian, tha të dielën se “ndërsa disa bombardime janë ndalur brenda Rripit të Gazës, aktualisht nuk ka asnjë armëpushim”.
Sipas saj, kryeministri Benjamin Netanyahu ka urdhëruar që forcat izraelite të “kundërpërgjigjen për qëllime mbrojtëse… nëse ka ndonjë kërcënim për jetën në fushën e betejës”.
Raportimet nga Gaza thonë se Izraeli vazhdoi sulmet ajrore dhe me tanke edhe gjatë natës dhe të dielën në mëngjes, duke shkatërruar disa ndërtesa banimi në qytetin e Gazës.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e kontrolluar nga Hamasi, raportoi se 65 persona janë vrarë nga operacionet ushtarake izraelite në 24 orët e fundit.
Plani me 20 pika propozon një ndalim të menjëhershëm të luftimeve dhe lirimin e 48 pengjeve nga të cilët besohet se vetëm 20 janë gjallë, në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë.
Në një fjalim televiziv të shtunën, Netanyahu tha se shpreson të njoftojë për lirimin e pengjeve “në ditët në vijim”. Ai ka sqaruar se, sipas marrëveshjes me administratën Trump, bisedimet nuk do të zgjasin më shumë se disa ditë.
Top Channel