
Nisin sonte në mbrëmje bisedimet zyrtare për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit në Egjipt.
Burime nga Hamasi konfirmuan për CNN se raundi i parë i negociatave do të zhvillohet këtë mbrëmje në Sharm el-Sheikh. Paraprakisht, ndërmjetësuesit e Katarit dhe Egjiptit u takuan në Kajro me Khalil al-Hayya, udhëheqësin e delegacionit të Hamasit, për të zgjidhur pikat e fundit të mosmarrëveshjeve.
Nga pala izraelite janë të pranishëm përfaqësues të nivelit të lartë, megjithëse kryenegociatori Ron Dermer nuk ndodhet fizikisht në bisedime, por pritet t’u bashkohet më vonë gjatë javës.
Negociatat zhvillohen në një klimë të ndjeshme, pasi palët kanë mosdakordësi për çarmatimin e Hamasit, rolin e tij në administrimin e ardhshëm të Gazës dhe garancitë për largimin e sigurt të drejtuesve të lartë.
Bisedimet janë pjesë e përpjekjes për të vënë në zbatim planin 20-pikësh të armëpushimit të propozuar nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Top Channel