
Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka bërë deklarata të forta në një intervistë për median online hungareze Partizan, duke akuzuar Poloninë dhe vendet baltike për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike midis Bashkimit Evropian dhe Rusisë, gjë që sipas saj, kontribuoi indirekt në agresionin rus ndaj Ukrainës.
Merkel ka folur për Marrëveshjen e Minskut të vitit 2015, të cilën ajo ndihmoi të negocionte dhe që solli një periudhë qetësie midis viteve 2015 dhe 2021, duke i dhënë Ukrainës kohë për t’u konsoliduar.
Ish-kancelarja tha se në qershor 2021 kuptoi se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk e merrte më seriozisht këtë marrëveshje dhe kërkoi një format të ri dialogu direkt me Putinin përmes BE-së.
“Disa shtete nuk e mbështetën këtë, kryesisht vendet baltike dhe Polonia,” tha Merkel, duke shtuar se këto vende kishin “frikë” se politika e përbashkët evropiane ndaj Rusisë nuk do të funksiononte.
Merkel shtoi se mospasja e mundësisë për takime ballë për ballë për shkak të pandemisë së koronavirusit pengoi gjetjen e kompromisave dhe kontribuoi në radikalizimin politik të Rusisë, që më pas çoi në sulmin mbi Ukrainën. “Videokonferencat nuk ishin të mjaftueshme,” theksoi ajo.
Deklaratat e ish-kancelarës kanë shkaktuar debat të madh, pasi interpretimi i saj për shkakun e agresionit rus sfidon shumë analiza ndërkombëtare, të cilat theksojnë se ofensiva e Rusisë ndaj Ukrainës ishte një plan afatgjatë i vendosur nga Kremlini, i pavarur nga politika e vendeve baltike ose pandemia.
Merkel, e cila ka udhëhequr Gjermaninë nga viti 2005 deri në 2021, mbetet një figurë kyçe në diskutimet për politikën evropiane dhe marrëdhëniet me Rusinë.
Top Channel