Analiza e “La Repubblica”/ Dorëheqja e kryeministrit Lecornu, Macron përballë tri zgjedhjeve të vështira

06/10/2025 13:44

Vetëm disa orë pas emërimit të qeverisë së tij, Sébastien Lecornu ka dorëzuar dorëheqjen te Presidenti Emmanuel Macron, i cili e ka pranuar menjëherë.

Ky zhvillim i papritur ka hapur një krizë të re politike në Francë. Lista e re e ekzekutivit ishte shpallur mbrëmjen e kaluar, ndërsa mbledhja e parë e Këshillit të Ministrave ishte planifikuar për më 6 tetor.

Lecornu, 39 vjeç, ish-ministër i Mbrojtjes, ishte emëruar më 9 shtator 2025, pas rrëzimit të François Bayrou, dhe kishte nisur një raund konsultimesh për të arritur një kompromis parlamentar.

Me socialistët, mungesa e gatishmërisë për të rihapur çështjen e reformës së pensioneve dhe taksës mbi pasurinë e pengoi arritjen e një marrëveshjeje. Nga ana tjetër, republikanët e djathtë ishin thellësisht të përçarë dhe nuk dhanë mbështetje të qartë.

Kreu i partisë republikane, Bruno Retailleau, kishte thirrur një mbledhje urgjente për të diskutuar pjesëmarrjen në qeveri, por dorëheqja e Lecornu-së erdhi para se të mblidhej forumi. Përballë mungesës së shumicës parlamentare dhe mungesës së kompromisit, kryeministri vendosi të tërhiqet.

Në një fjalim të shkurtër, Lecornu deklaroi se ishte përpjekur të ndërtonte ura bashkëpunimi, por ishte penguar nga qëndrimet e palëkundura të partive të tjera.

“Çdo parti kërkon që tjetri të zbatojë programin e tij në tërësi. Kompromisi nuk është një cenim. Por për këtë duhet të ndryshosh mentalitetin”, tha ai.

“Për të funksionuar gjërat, nevojitet më pak ego, më shumë përulësi”. shtoi ish-kryeministri.

Tani presidenti Macron përballet me tre skenarë të mundshëm: “Emërimi i një kryeministri të ri, ndoshta nga krahu i majtë ose një figurë teknike. Shpërndarja e Asamblesë Kombëtare për herë të dytë brenda një viti”.

Skenari më ekstrem, shpallja e zgjedhjeve presidenciale të parakohshme. Nga ana e saj, liderja e Rassemblement National, Marine Le Pen, e quajti të papranueshme që Macron të vazhdojë të emërojë kryeministra pa mbështetje.

“Është një farsë. Ai po reziston në mënyrë irracionale dhe po e vendos vendin në një krizë të thellë. Zgjidhja e vetme është t’i kthehemi votës së popullit”, deklaroi ajo.

Top Channel