Zgjedhjet në Çeki, analiza nga ‘The Guardian’: A mund të formojë një qeveri të qëndrueshme Andrej Babiš pas fitores?

05/10/2025 16:42

Populisti miliarder çek, Andrej Babiš, ka nisur bisedimet për krijimin e një qeverie të re, pas një fitoreje të rëndësishme në zgjedhjet parlamentare të mbajtura të premten dhe të shtunën në Republikën Çeke.

The Guardian analizon se, edhe pse partia e tij ANO (Po) doli forcë e parë me 34.5% të votave dhe siguroi 80 vende në parlamentin prej 200 anëtarësh, mungesa e shumicës absolute e vë atë përballë sfidave serioze për krijimin e një qeverie të qëndrueshme.

Presidenti çek, Petr Pavel, ka pritur në takim Babiš-in, ndërsa ky i fundit ka njoftuar se do të zhvillojë negociata me drejtues të partive të tjera, për të eksploruar mundësitë për mbështetje. “I kam premtuar presidentit se do t’i paraqes një zgjidhje që është në përputhje me ligjet çeke dhe ato evropiane”, u shpreh ai përpara nisjes së bisedimeve.

Edhe pse Babiš e ka cilësuar rezultatin si “kulmin absolut” të karrierës së tij politike, rruga drejt formimit të qeverisë duket e vështirë. Ai ka deklaruar se synon të krijojë një qeveri të njëpartiake minorance të udhëhequr nga ANO, por tre parti kryesore tashmë kanë përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi me të, duke e detyruar atë të kërkojë aleanca me grupime të vogla të ekstremit të djathtë, si partia SPD dhe ajo e Motoristëve.

SPD, një parti euroskeptike, pro-Moskës dhe kundër NATO-s, ka bërë fushatë për një “Czexit”, largimin e Çekisë nga Bashkimi Evropian, që Babiš e ka kundërshtuar publikisht. Nga ana tjetër, ai ka këmbëngulur se partia e tij është “pro-evropiane dhe pro-NATO”.

Të dyja partitë, si SPD ashtu edhe Motoristët, janë shprehur të hapura për bisedime me ANO-n, por mbetet e paqartë nëse do të pranojnë të japin mbështetje vetëm përmes një marrëveshjeje “besimi dhe furnizimi”, apo do të kërkojnë të hyjnë zyrtarisht në qeveri – dhe sa gjatë mund të zgjasë një marrëveshje e tillë.

Edhe nëse Babiš arrin të sigurojë mbështetjen e mjaftueshme parlamentare për të paraqitur një shumicë minimale prej 101 deputetësh, sfidat nuk përfundojnë këtu. Presidenti Pavel – i cili mundi vetë Babiš-in në zgjedhjet presidenciale të vitit 2023 – ka deklaruar më parë se nuk do të pranojë të emërojë ministra që janë kundër anëtarësimit të Çekisë në BE apo NATO.

Ai po ashtu ka kërkuar këshilla ligjore lidhur me një konflikt të mundshëm interesi që përfshin vetë Babiš-in, si një nga biznesmenët më të mëdhenj në vend, me një pasuri të vlerësuar në 3.9 miliardë dollarë.

Ndërkohë, figura të njohura të së djathtës ekstreme evropiane, si Viktor Orbán dhe Marine Le Pen, kanë përshëndetur fitoren e Babiš-it, duke e konsideruar atë një dëshmi se “partitë patriotike” po vijnë në pushtet në të gjithë Evropën.

Sa afër është Babiš me të djathtën ekstreme evropiane?

Edhe pse partia ANO është pjesë e grupimit të ri “Patriotët për Evropën” në Parlamentin Evropian, dhe vetë Babiš është shprehur si admirues i kryeministrit hungarez Orbán, analistët thonë se politika e tij është më shumë pragmatike sesa ideologjike. Ata theksojnë se ai nuk ka gjasa të përplasët ashpër me Brukselin, për aq kohë sa ekonomia çeke dhe vetë kompanitë e tij përfitojnë nga fondet e BE-së.

Për më tepër, institucionet çeke, si Senati dhe Gjykata Kushtetuese, mund të frenojnë çdo përpjekje për ndryshime të mëdha, veçanërisht ato që prekin ligjet zgjedhore apo rregullat kushtetuese.

Në këtë kuadër, mbetet për t’u parë nëse Babiš do të arrijë të krijojë një qeveri funksionale dhe të qëndrueshme, apo do të mbetet peng i pazareve të vazhdueshme politike me forcat e vogla të ekstremit të djathtë.

Top Channel