Turistët evropianë zbulojnë thesaret shqiptare/ Parku i Bylisit mikpret vizitorë nga Polonia, Gjermania, Franca e Çekia

05/10/2025 12:21

Rreth tetë mijë turistë vendas e të huaj kanë vizituar Parkun Arkeologjik të Bylisit në gjashtë muajit e parë të vitit.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar vihet re një rritje me 20%, ndërsa vizitorët e huaj janë kryesisht polakë, çekë, gjermanë, francezë, por edhe spanjollë. Teatri antik mbresëlënës, pesë bazilikat paleokristiane, dhe agoraja, janë pjesët më të vizituara të parkut. Ndërtimi i rrugës së re Levan-Tepelenë-Parku Arkeologjik është një nga faktorët që ka ndikuar në rritjen e numrit të vizitorëve.

Të huajt që vizitojnë parkun i surprizon natyra e mrekullueshme piktoreske që ofron Lugina e Vjosës por dhe kodrat që e rrethojnë”, shprehet Ardit Shehu, përgjegjës i Parkut Arkeologjik të Bylisit.

Po bëjmë një tur prej 6 ditësh dhe jemi të interesuar për arkeologjinë dhe ushqimin duke qenë se kuzhina shqiptare është e mirë. Kjo është arsyeja që jemi këtu, për murin e madh rreth kodrës”, shprehet një vizitor.

“Erdhëm nga Belgjika me makinë në Shqipëri, të vizitojmë vendin tuaj. Ka shumë asete të bukura arkeologjike, natyrore. Është një vend i panjohur për ne dhe na ka impresionuar sepse mund të vizitosh shumë vende, nuk është i mbipopulluar. Pjesa e detit është shumë e këndshme, ndërsa përshtypja e parë këtu është për një vend të bukur, nga fillimi i kodrës, deri te muret e mëdha, dhe ne do të vazhdojmë të vizitojmë akoma më shumë”, thotë një tjetër turist.

Ne jemi nga Republika Çeke, nga Praga. Është hera e parë në Shqipëri, dhe mendojmë se është një vend i bukur, natyrë shumë e këndshme. Ne e kemi njohur Shqipërinë nëpërmjet Domap sepse ne kemi hyrë në site arkeologjike për tu informuar, do të jetë një eksperiencë e bukur për ne”, thotë turistja nga Republika Çeke.

Ndërkohë, duke patur parasysh rritjen e numrit të turistëve nga viti në vit në Bylis, dhe për shkak të rëndësisë së tij kulturore dhe potencialit turistik ,në janar të vitit 2026 pritet të fillojë zbatimi i programit prej 6 milionë e 250 mijë euro, që BE do të ofrojë për punime restaurimi, përmirësime të infrastrukturës si dhe përkrahje të potencialeve të zhvillimit ekonomik

Falë këtij projekti, Parku Arkeologjik i Bylisit pritet të hyjë në një fazë të re të ruajtjes dhe promovimit falë mbështetjes së Bashkimit Europian”, thotë Ardit Shehu, përgjegjës i Parkut Arkeologjik të Bylisit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta