“T’i thuash një deputeti të opozitës ‘kandido në Tiranë’, është njësoj sikur ta vrasësh”, Artan Fuga shigjeton “tenorët e PD”: Nuk kanë këllqe të mbledhin elektoratin

05/10/2025 01:15

Kreu i PD-së Sali Berisha tha sot se PD nuk do nxjerrë kandidat nga radhët e veta, por do mbështesë një kandidat të pavarur duke i hapur kështu rrugë një gare ku kanë nisur të vetëshpallen emra për detyrën më të rëndësishme në shërbim të qytetarëve të Tiranës, atë të kryetarit të Bashkisë.

Akademiku Artan Fuga e sheh si të trishtueshme gjendjen ku ndodhet PD-ja teksa thotë se drejtuesit e saj nuk kanë këllqe të mbledhin elektoratin e djathtë dhe po i bëjnë bisht garës.

Demokratët ende nuk kanë zgjedhur një kandidat përballë Ogerta Manastirliut të PS-së dhe sipas Fugës është e trishtueshme gjendja ku ndodhet opozita.

Ai thotë se sot asnjë deputet nuk e merr përsipër të kandidojë për Tiranën, ndërkohë që ai në fund opozita do të nxjerrë një emër që fitore do të quajë faktin se është përmendur gjatë këtyre zgjedhjeve.

Nga Artan Fuga

Është e qartë se përse opozita nuk gjen dot një kandidat për kryetar të bashkisë së Tiranës!

Tenorët kryesorë të saj nuk kanë këllqe të mbledhin elektoratin demokratikas dhe përtej tij, qytetarin e Tiranës, ndaj i bëjnë bisht.

Duket se në vend që ai që caktohet kandidat të konsiderojë se po e vlerësojnë; kam informacion që te disa qarkullon frika se po të thonë kandido duket se dikush ta do të keqen, të të heqi qafe!

Më kryesorja është se ai që do të kandidojë, më thonë, ka ndrojtje se të tjerët nuk do ndihmojnë sinqerisht, ca nga mosbesimi që kanë, ca se përtojnë, ca se ohuu, secili për vete në këtë botë.

Por, ka edhe më kryesore: Po të shkosh ndonjërit ose ndonjërës që mund të ishte kandidat ose kandidate dhe t’i thuash hidhu, poqese është tashmë deputet ose deputete është njësoj sikur ta vrasësh, ta kafshosh, t’i shkulësh flokët. Unë tani u futa deputete ose deputet, ngroh karrigen, xhepin, zemrën, egon, ti më thua të heq dorë nga të gjitha këto dhe të shkoj në një betejë të humbur.

Ka ca që nuk e kanë idenë as të pushtetit lokal, as të demokracisë lokale, as të urbanizmit, ç’a të thonë në fushatë: Apo do hapim tarraca në Dajt?

Etj. etj. Nëse nuk më besoni, nëse gjejnë një deputet dhe e vendosin kandidat për kryetar bashkie, unë heq dorë nga këto!

Por nga që askush nuk pranon, për turp të Zotit, shpikin teori se jo nga shoqëria civile, jo nga shoqëria ushtarake.

Në fund do të gjejnë dikë që quan fitore vetëm se iu zu emri në gojë, u riciklua, ose meqë hap i parë edhe dështimi nuk dhemb, mund ta përdorë në cë si arritje në karrierë!

Cfarë trishtimi!

Top Channel