Të gjithë sytë nga Egjipti, bisedimet për paqe mes Izraelit dhe Hamasit nisin të hënën

05/10/2025 18:01

Këtë të hënën pritet të nisin në Egjipt negociatat indirekte mes Izraelit dhe Hamasit, me ndërmjetësimin e SHBA-së dhe Katarit.

Këto bisedime shihen si ndër më të rëndësishmet që nga fillimi i luftës në Gaza dhe mund të përcaktojnë nëse ekziston një rrugë reale drejt një armëpushimi dhe fundi të konfliktit.

Negociatat zhvillohen pas një reagimi të papritur nga Hamasi, i cili ka pranuar disa pjesë të planit prej 20 pikash të propozuar nga SHBA-ja. Ky plan përfshin lirimin e pengjeve dhe dorëzimin e qeverisjes së Gazës tek një administratë teknokratike palestineze. Megjithatë, Hamasi nuk ka dhënë ndonjë përgjigje për çështje thelbësore si çarmatimi apo roli i tij i mundshëm në qeverisjen e ardhshme të Gazës.

Zyrtarë amerikanë dhe izraelitë po ushtrojnë presion për një lirimin sa më të shpejtë të pengjeve. Sipas burimeve, plani fillestar parashikon ndërprerje të menjëhershme të luftimeve dhe lirimin e 48 pengjeve nga të cilët vetëm 20 besohet të jenë ende gjallë, në këmbim të lirimit të qindra palestinezëve të ndaluar nga Izraeli.

Presidenti amerikan Donald Trump i ka kërkuar Izraelit të ndalojë bombardimet menjëherë për të lehtësuar lirimin e pengjeve. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se nuk mund të lirosh pengje ndërsa vazhdojnë bombardimet dhe theksoi nevojën për një qasje logjistike të koordinuar.

Ndërkohë, sulmet izraelite në Gaza nuk kanë ndalur. Zëdhënësja e qeverisë izraelite, Shosh Bedrosian, deklaroi këtë të diel  se nuk ka një armëpushim zyrtar në fuqi, megjithëse bombardimet janë ndalur përkohësisht.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, njoftoi se 65 persona u vranë në 24 orët para mesditës së dielës. Ndërsa korrespondentë ndërkombëtarë raportuan shpërthime dhe tym të dendur në afërsi të kufirit me Izraelin.

Hamasi duket se ka lënë jashtë deklaratës zyrtare të tij pikat më të diskutueshme, si fati i armëve dhe kontrolli mbi Gazën pas luftës, një sinjal që shumë e interpretojnë si rrjedhojë e presionit të ndërmjetësuesve nga Katari, Egjipti dhe Turqia.

Trump paralajmëroi se nëse Hamasi këmbëngul të qëndrojë në pushtet, do të përballet me zhdukje të plotë. Presidenti gjithashtu deklaroi se Izraeli ka rënë dakord për një tërheqje fillestare nga disa pjesë të Gazës, si pjesë e një plani më të gjerë për përfundimin e konfliktit.

Sipas planit të propozuar, harta fillestare e tërheqjes do të përjashtonte rreth 900,000 palestinezë nga rikthimi në shtëpitë e tyre. Zonat që do të mbeteshin të paprekura përfshijnë Rafahin në jug, Beit Hanounin dhe Beit Lahian në veri, si dhe pjesë të mëdha të Qytetit të Gazës, Khan Younisit dhe Deir al-Balahut.

Top Channel