Sulmet izraelite nuk ndalen, pavarësisht thirrjes së SHBA për armëpushim,15 të vdekur në Gaza

05/10/2025 14:15

Të paktën 15 palestinezë janë vrarë në Gaza vetëm që nga agimi i së dielës, ndërkohë që forcat izraelite vijojnë bombardimet, pavarësisht thirrjes publike të presidentit amerikan Donald Trump drejtuar Izraelit që të ndalojë menjëherë ofensivën ushtarake.

Situata në terren mbetet katastrofike, teksa delegacionet nga SHBA, Izraeli dhe Hamasi pritet të mblidhen nesër në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, në një përpjekje për të diskutuar një propozim të ri për armëpushim, kanë konfirmuar zyrtarë egjiptianë dhe burime izraelite.

67 palestinezë u vranë vetëm gjatë ditës së djeshme, sipas autoriteteve spitalore në Gaza. Një sulm ajror në një shtëpi në qytetin e Gazës vrau 17 persona, shumë prej tyre fëmijë, duke e kthyer të shtunën në një nga ditët më të përgjakshme të javëve të fundit.

Në spitalin Al-Ahli Arab, vetëm të shtunën u trajtuan mbi 460 të plagosur, ka deklaruar mjeku Fadel Naim, i cili thotë se mungesat e stafit, ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore po pengojnë përpjekjet për të shpëtuar jetë. Ndërkohë, në spitalin Al-Shiffa, drejtori Dr. Mohammad Abu Salmiya tha për CNN se shërbimet shëndetësore janë thuajse të paralizuara, ndërsa vetëm pak spitale në qytetin e Gazës vazhdojnë të funksionojnë, në kushte minimale.

Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë Palestineze të Shëndetësisë, që nga 7 tetori 2023, janë vrarë më shumë se 67,000 palestinezë, e po ashtu janë plagosur 169,583 persona, shumë prej të cilëve me pasoja të përhershme.

Situata humanitare mbetet kritike, ndërsa bota pret të shohë nëse bisedimet në Egjipt do të sjellin një ndalesë të përkohshme të luftimeve apo një hap drejt paqes afatgjatë. Ndërkohë, populli i Gazës vijon të paguajë çmimin më të lartë të kësaj lufte të përgjakshme.

Top Channel