
Një stuhi bore ka përfshirë malin e Everestit ku janë bllokuar afërsisht 1,000 persona në kampe në anën lindore të malit, sipas mediave të huaja.
Qindra fshatarë vendas dhe ekipe shpëtimi janë angazhuar për të pastruar borën që ka bllokuar hyrjen në zonë, e cila ndodhet në një lartësi mbi 4,900 metra.
Sipas raporteve, disa turistë janë shpëtuar tashmë, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë.
Reshjet e dendura të dëborës filluan të premten në mbrëmje dhe janë intensifikuar në shpatet lindore të Everestit në Tibet – një zonë e njohur për alpinistët.
Ekipi i Shpëtimit “Blue Sky” i Tibetit raportoi se kishte marrë një thirrje për ndihmë ku thuhej se tendat ishin shembur për shkak të borës së madhe dhe se disa alpinistë po përballeshin me simptoma të hipotermisë
Autoritetet lokale reaguan duke pezulluar hyrjen në Zonën Pamore të Everestit dhe shitjen e biletave që nga e shtuna, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar Kompaninë e Turizmit të Qarkut Tingri.
Rajoni po përjeton kushte të vështira atmosferike, ndërsa edhe Nepali fqinj po përballet me shira të rrëmbyeshëm që kanë shkaktuar rrëshqitje dheu dhe përmbytje të menjëhershme. Deri tani, këto fenomene natyrore kanë rrëzuar ura dhe kanë shkaktuar të paktën 47 viktima në dy ditët e fundit.
Ndërkohë, në pjesë të tjera të Kinës, tajfuni Matmo ka goditur tokën, duke detyruar rreth 150,000 banorë të evakuohen nga shtëpitë e tyre.
Mali Everest, maja më e lartë në botë me një lartësi prej 8,849 metrash, mbetet një ndër destinacionet më sfiduese për alpinistët. Edhe pse çdo vit shumë ngjitës përpiqen të arrijnë majën, rruga drejt saj mbetet e rrezikshme, shpesh e shoqëruar me kushte ekstreme dhe pasoja fatale.
Top Channel