Skandali te Onkologjiku/ Raporti i KLSH: Gjysma e barnave kundër kancerit nuk arrijnë te pacientët

05/10/2025 12:10

Të sëmurët e onkologjikut nuk marrin as shërbimin as barnat në kohë, si dhe ndodh që të mos jenë të duhurat apo edhe të përballen me ilaçe të skaduara të cilat janë falsifikuar.

Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit del në pah se situata nuk është përmirësuar pas rikontrollit, ku edhe pse numri i pacientëve rritet, shpenzimet mbeten të njëjta. Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë për barnat rezulton të jetë i nënfinancuar dhe nuk mbulon nevojat reale të shqiptarëve që vuajnë nga kanceri, ndërsa plani buxhetor i QSUT-së nuk reflekton kërkesat jetike të pacientëve.

Nga verifikimet e kryera më datë 28.02.2025 në Farmacinë Qendrore dhe më date 13.03.2025 në Blloqet Farmaceutike, në kuadër të kontrollit të inventarëve fizikë dhe krahasimit me të dhënat në sistem për barnat që përdoren në trajtimin e sëmundjeve tumorale, u konstatua se për barin “Doxorubicin” 50 mg (2mg/ml) – flakon, ndonëse sasia fizike në përputhje me regjistrimet në sistem, data e skadencës e shënuar në sistem nuk përputhej me atë të verifikuar fizikisht”, thotë KLSH.

Gjetjet e KLSH-së tregojnë se as importi farmaceutik nuk funksionon plotësisht, pasi gati gjysma e ilaçeve që luftojnë sëmundjet tumorale, nuk kanë mbërritur te pacientët shqiptarë. Nga ana tjetër, janë shënuar 49 raste vonesash të pajustifikuara barnash nga importuesit farmaceutikë, edhe pse shumë pacientë ishin në pritje të këtyre medikamenteve, dhe autoritetet kanë marr masa ndëshkimore vetëm për 2 prej tyre.

Bazuar në të dhënat e vëna në dispozicion nga Sektori i Shpërndarjes mbi importin e barnave, rezulton se nga 253 barna antitumorale të autorizuara për tregtim në Republikën e Shqipërisë, 116 prej tyre ose në masën 46%, nuk janë importuar në asnjë rast gjatë periudhës së auditimit janar 2021-mars 2025. Kjo situatë mbart risqe potenciale mbi efikasitetin e mekanizmave ekzistues”, thuhet më tej.

Audituesit shtetëror vlerësojnë në tre vite nga 2022-2025, se mungesa e barnave e kombinuar me mangësitë në shpërndarje në shërbimet spitalore, krijon një situatë me risk të lartë për sistemin shëndetësor dhe për pacientët që marrin trajtim në këto struktura. Gjithashtu konstatohet mbajtja e stoqeve të skaduara, duke rritur artificialisht gjendjen e barnave në sistem. Problematikë mbetet dhe prodhimi I barnave pa analiza laboratorike.

Nga auditimi i kryer në Sektorin e Kapave në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, u konstatua se ky sektor disponon vetëm pajisje manuale dhe jo pajisje të specializuara dhe të automatizuara për përgatitjen, dozimin dhe përzierjen precize të barnave citostatike. Mungesa e automatizimit e bën procesin plotësisht të varur nga ndërhyrja manuale e personelit, çka rrit ndjeshëm mundësinë për devijime në sasi, kontaminim të mundshëm të përgatitjeve, apo gabime në përzierje që nuk janë lehtësisht të gjurmueshme dhe mund të sjellin mungesë të efikasitetit terapeutik. Për më tepër, nga informacioni i vendosur në dispozicion, rezulton se pajisjet teknike të sektorit nuk janë mirëmbajtur apo kalibruar që nga momenti i futjes së tyre në inventar, proces ky që do të garantonte funksionimin e tyre në mënyrë të saktë, të besueshme dhe brenda parametrave të paracaktuar teknikë”, përfundon KLSH.

Gjatë monitorimit, KLSH raporton raste të pritjes së gjatë për të kryer kimioterapi dhe detyrimit të pacientëve për tu kuruar jashtë Shqipërisë duke ju mohuar e drejta kushtetuese e kujdesit shëndetësor në vendlindje.

 

Top Channel