
Nën moderimin e Salsano Rrapit, Kiara Titos dhe Nevina Shtyllës, këtë mbrëmje rikthehet në ekranin e Top Channel programi i historisë së humorit në vendin tonë…
Me energji të reja dhe shumë surpriza, trupa e aktorëve është gati për të nisur sezonin e 44-të të “Portokalli”.
“I urojmë Portokalli-së shumë suksese këtë sezon”, shprehet aktori Irgen Çela.
“I uroj suksese aktores sonë të re, Orit. Na ectë mbarë dhe ne të tjerëve”, thotë Juxhin Plovishti.
Ndërsa Akil Varfi shprehet se “Jam i bindur se ky sezon do të jetë shumë i bukur”.
Spektakli i humorit vazhdon rrugëtimin me përvojën e fituar prej më shmë se dy dekadash.
“Portokallia ofron një tjetër mënyrë të të bërit humor, jemi më afër realitetit më afër personazheve që ne i shohim në përditshmërinë tonë. Mendoj se është një formë humori që publiku jonë do ta zgjedhë gjithmonë ta ndjekë”, tha moderatorja e spektaklit, Nevina Shtylla.
“Portokallia është dashuri që nuk zëvendësohet me asnjë program tjetër”, shprehet Xhemi Shehu.
Personazhet më të dashur të publikut rikthen të rikonceptuar…
“U bënë rreth katër vite në Portokalli, jemi bërë pronarë. Deshi Zoti që morëm një kredi dhe lokali është bërë yni”, u shpreh aktori Deivis Myslymi.
Ndërsa Visjan Ukcenaj zbuloi se “Minioni vjen me një format të ri, ‘Shtiza by Minion’, që imiton ‘Për’puthen’.”
Krahas tyre, do të jetë personazhet e rinj, që do t’ju bëjnë për vete me batutat e përzgjedhura nga aktorët.
“Këtë sezon kemi një rol të ri, ‘Zyra në ndihmë të qytetarëve’, por që në të vërtetë nuk ndihmon asnjë”, tha Erblin Bajko.
Albana Përhati, u shpreh se “Këtë javë në Portokalli, do të vijë personazhi më viral i TikTok”.
Si çdo sezon tjetër, me ironinë therëse që shkon deri në sarkaziëm, artistët e Portokalli do të trajtojnë tema të mprehta të aktualitetit, duke thumbuar problematikat e përditshmërisë sonë.
Ndërsa Marin Orhanasi tha se “Do t’ju sjellim personazhe që i shihni përditë, por e gjitha kjo ngrihet në nivel estetik.”
“Diella është një personazh shumë interesant, për shkak të efektit që ka pasur deri te mediat e huaja”, u shpreh moderatori Salsano Rrapi.
“Jemi bashkë me Ledion, dy përfaqësues të SPAK, shumë njerëz do të thumbohen nga ky numër.”, tha më tej Irgen Çela.
“Unë kam ndërtuar këtë drejtësi kaq të fortë sa po paraqitem edhe vetë në SPAK”, zbuloi Kejdi Gishto.
Premiera e sezonit të ri u ndoq me interes të lartë nga publiku që mbushi teatrin e Top Channel, në një natë plot emocione.
Moderatorja Kiara Tito u shpreh se “Jam duke e shijuar shumë premierën sot. Kam shumë emocione, po më dridhet zëri. Jam shumë e lumtur që e soll këtë sallë plot, prania e Lunës më jep shumë forcë.”
Ndërsa Gaz Paja tha se “Jemi rritur me këtë publik, që i japim humor dhe na e kthen me duartrokitje”.
“Kur aktori merr dashuri kur hyn në skenë është ndjesi fantastike”, përfundoi Vikcenaj.
Aktorët ju ftojnë t’i ndiqni live çdo të mërkurë në orën 19:00, në një përvojë unike dhe me shumë të qeshura, sikurse e dëshmojnë vetë artdashësit e pranishëm në natën e parë të spektaklit më të madh të humorit.
Top Channel