
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, do të mikpresë në datat 5 dhe 6 tetor në Shqipëri udhëheqësit e vendeve anëtare të Procesit të Brdo-Brijuni-t.
Samiti 2-ditor i Brdo-Brijunit mbahet këtë vit në Shqipëri. Në fokus pritet të jenë çështjet që prekin rajonin, si dhe proceset integruese të Ballkanit Perëndimor.
Temat e diskutimeve lidhen me bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, integrimin evropian, Planin e Rritjes së BE-së, rininë dhe hartimin e politikave për mbajtjen e fuqisë së kualifikuar punëtore, sidomos të rinisë.
Veç Seancës Plenare dhe Konferencës për Shtyp që Presidenti Begaj do të mbajë së bashku me homologët e Sllovenisë dhe Kroacisë, (shtetet bashkëkryesuese të “Brdo –Brijuni-t”), përgjatë punimeve të këtij samiti janë parashikuar edhe takime dypalëshe mes liderëve pjesëmarrës.
Ky samit pritet të dalë me konkluzionet përkatëse, të cilat konsiderohen si shtysë për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse dhe progresit të tyre.
Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Serbia janë pjesë e Procesit të Brdo-Brijuni-t, iniciativë e vitit 2010 e Sllovenisë dhe Kroacisë, dy shtete anëtare të BE-së.
Top Channel