
Në podcastin “Flasim” me kryeministri Edi Rama , kandidatja e PS për kryetare të Bashkisë së Tiranës, Ogerta Manastirliu, ndau një pjesë të jetës së saj personale.
Ajo theksoi se kjo harmoni familjare ka ndikuar në formimin e saj dhe në zhvillimin e ndjeshmërisë artistike.
“Kam lindur në Tiranë, në një familje të thjeshtë tiranase. Dy prindërit e mi: mamaja valltare në Ansamblin e Operës dhe Baletit, babai ushtarak, dhe me vëllain. Në një shtëpi ku ka mbizotëruar harmonia me dy karaktere të kundërta, diametralisht edhe për shkak të profesioneve të tyre, të mamit dhe babit. Por që në atë harmoni dhe simbiozë jemi rritur të shëndetshëm edhe me shumë njerëz përreth. Në fëmijërinë time kujtoj se një kohë të madhe e kam shpenzuar në korridoret e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe ndoshta këtu më është ushqyer pak edhe aspekti estetik dhe artistik“.
Duke folur për bashkëshortin, Ermalin, dhe dy vajzat, Altean dhe Emilin, ajo rrëfeu se historia e dashurisë ka nisur që në bankat e gjimnazit.
“Me Ermalin jam dashuruar kur ishim në gjimnaz. Kemi ndërtuar jetën tonë së bashku. I thamë ‘po’ njëri-tjetrit në vitin 2005 dhe që prej asaj kohe jemi krah për krah në çdo sfidë. U bëra nënë në të njëjtin vit që u martuam. Erdhi Altea, pa plan, por si një dhuratë. Më pas erdhi Emili.”
Manastirliu pranoi se intensiteti i punës i ka marrë shumë kohë nga familja, por mbështetja e bashkëshortit ka qenë vendimtare: “Ermali është padyshim kolona ku mbështetem dhe ku gjej prehje. Më ka lehtësuar nga shumë angazhime, duke marrë mbi vete pjesën që unë, si nënë, nuk kam pasur mundësi ta bëj gjithmonë.”
Ajo rrëfeu se dy vajzat, tashmë të rritura, janë kthyer në kritiket më të ashpra të saj: “Vajzat janë rritur dhe janë bërë kritizerë të mëdha. Ndonjëherë më thonë: ‘Pse nuk je me ne, pse përkushtohesh kaq shumë diku tjetër?’. Por sot, në moshën që kanë, e kuptojnë më mirë sakrificën.”
Për Manastirliun, pavarësisht posteve dhe detyrave të larta, familja mbetet themeli: “Familja ime, e vogël dhe e madhe, është forca ime më e madhe. Të shërbesh për të tjerët është një mision, por shërbimi fillon nga familja.”
Top Channel