
Trafiku ajror në aeroportin më të madh të Lituanisë, Aeroportin Ndërkombëtar të Vilniusit, është rivendosur herët të dielën, pasi disa fluturime u pezulluan dhe u devijuan për shkak të balonave që dyshohet se po fluturonin drejt hapësirës ajrore të aeroportit.
Sipas operatorit të aeroportit, fluturimet u rifilluan në orën 04:50 të mëngjesit me orën lokale, pas një mbylljeje disaorëshe që filloi të shtunën vonë. Mbyllja u bë për arsye sigurie pas raportimeve për një seri balonash ajri të nxehtë që po afrohen nga drejtimi i kufirit me Bjellorusinë.
Gjatë mbylljes, fluturimet hyrëse u devijuan në Letoni dhe Poloni, ndërsa shumë nisje u anuluan. Një fluturim nga Kopenhaga u detyrua të kthehej në Danimarkë.
Sipas transmetuesit publik LRT, autoritetet kishin identifikuar 13 balona që lëviznin në drejtim të zonës së aeroportit. Administrata Federale e Aviacionit të SHBA-së konfirmoi kufizimet për shkak të “fluturimeve me balona me ajër të nxehtë”.
Ngjarja vjen në një klimë të tensionuar sigurie për Lituaninë, anëtare e NATO-s, e cila në gusht shpalli një zonë ndalim-fluturimi 90 km përgjatë kufirit me Bjellorusinë, në përgjigje të shkeljeve të mundshme me dronë.
Top Channel