
Policia ka publikuar pamjet kur 31-vjeçari, Imer Krrashi, nuk u bind urdhrit të uniformave blu dhe më pas përplasi disa makina pranë Saukut, duke rrezikuar jetën e qytetarëve.
Në pamje shihet momenti kur efektivët e kanë ndaluar dhe e pyesin “A keni ndonjë gjë që nuk duhet në automjet?”. Në këtë moment 31-vjeçari largohet me shpejtësi.
Policia iu vu në ndjekje të Krrashit, duke bërë të mundur arrestimin e tij. Në pamje shihet momenti kur është shtirë në tokë nga uniformat blu.
Njoftimi:
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të punës për kontrollin e territorit dhe të personave që mund të qarkullojnë me armë zjarri apo të transportojnë lëndë narkotike, bazuar edhe në informacionin e marrë në rrugë operative se një automjet po lëvizte në unazë, në drejtim të TEG-ut, dhe drejtuesi i automjetit mund të ishte i armatosur, rreth orës 12:30, tek Liqeni i Thatë, Forca e Posaçme “Shqiponja” i ka bërë shenjë ndalimi automjetit me drejtues shtetasin Imer Krrashi 31 vjeç, pasi kishin marrë informacion se 31-vjeçari qarkullonte me armë zjarri.
Pas ndalimit të automjetit të dyshuar, shërbimet e Policisë i kanë bërë të ditur drejtuesit të automjetit se ndaj tij dhe automjetit do të ushtrohej kontroll. Në momentin që drejtuesi i automjetit është njohur me urdhrin e Policisë, ka refuzuar urdhrin për kontroll dhe është larguar me shpejtësi të madhe, duke rrezikuar punonjësit e Policisë që ishin duke komunikuar me të.
Bazuar në informacionin e marrë se ky shtetas mund të kishte armë me vete, në refuzimin për kontroll nga drejtuesi i automjetit dhe largimin me shpejtësi në drejtim të TEG-ut, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të automjetit, i cili, për shkak edhe të trafikut të rënduar, ka përplasur 9 automjete dhe 1 motomjet, në të cilin qarkullonin shtetasit E. R., 52 vjeç (punonjës policie jashtë shërbimit) dhe bashkëshortja e tij, shtetasja O. R., 46 vjeçe, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë, pas një ndjekjeje intensive, bënë të mundur bllokimin e automjetit dhe të drejtuesit të tij, shtetasit I. K, alias I. M, alias I. U.
Gjatë kontrollit të automjetit, punonjësit e Policisë së Forcës së Posaçme “Shqiponja” gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë.
Shtetasi I. K., me precedent të theksuar kriminal dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, për veprime të mëtejshme procedurale.
Top Channel