
Një person u vra dhe rreth 30 të tjerë u plagosën, pasi dy trena pasagjerësh u goditën nga dronë rusë në rajonin verior të Sumy në Ukrainë, njoftuan autoritetet.
Ukraina akuzon Rusinë për shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve dhe e cilëson sulmin si një akt terrorizmi.
Sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, sulmi ndodhi në stacionin hekurudhor të Shostkës.
“Një sulm brutal me dron rus”, e përshkroi ai në rrjetin Telegram, duke publikuar pamje të vagonëve të djegur dhe të shkatërruar.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, akuzoi Moskën për goditjen e qëllimshme të trenave të pasagjerëve, duke e cilësuar këtë si një nga taktikat më brutale të Rusisë. Ai shtoi se sulmi përfaqëson një përshkallëzim të synuar kundër infrastrukturës civile.
Guvernatori i rajonit Sumy, Oleh Hryhorov, konfirmoi se tetë nga të plagosurit janë dërguar në spital për trajtim.
Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i hekurudhave ukrainase, Oleksandr Pertsovskyi, tha për Reuters se objektiv i dronëve ishin lokomotivat, por u dëmtuan edhe vagonët e udhëtarëve. Trenat e goditur ishin në shërbim të linjave lokale dhe një prej tyre po udhëtonte drejt Kievit.
Zelenskyy akuzoi Rusinë se po tenton të bëjë zonat kufitare dhe afër vijës së frontit të pabanueshme, përmes frikësimit të popullsisë.
“Ky është terrorizëm, të cilin bota nuk ka të drejtë ta injorojë”, shkroi ai.
Top Channel