Sulmi në Manchester, dyshohet se një nga viktimat u qëllua gabimisht nga policia, gjenden plumbat

04/10/2025 19:44

Një prej dy personave që mbetën të vrarë nga sulmi ndaj një sinagoge në Manchester, në fakt, mund të jetë goditur gabimisht prej forcave të rendit. Këtë e pohoi vetë shefi i policisë,  Sir Stephen Watson pak pas ngjarjes që shokoi Britaninë e Madhe.

Dy besimtarë hebrenj, të identifikuar si Adrian Daulby dhe Melvin Cravitz, u vranë dhe tre të tjerë u plagosën rëndë gjatë sulmit, i cili ndodhi gjatë Yom Kippur-it, dita më e shenjtë në kalendarin fetar hebraik. Të dy viktimat ishin banorë vendas.

Watson sqaroi se një mjek që ka parë viktimat, ka përcaktuar paraprakisht se prej tyre ka lëndime që në fakt, përputhen me plagët e shkaktuara nga një armë zjarri.

Ai nuk ka deklaruar megjithatë nëse ky ishte shkaku i vdekjes e për këtë me sa duket, priten verifikime të mëtejshme. Ndërkohë, agresori 35 vjecar Jihad Al-Sami nuk kishte armë zjarri me vete dhe sulmin e kreu me thikë.

Të shtënat u shkaktuan vetëm nga oficerët e policisë në vendngjarje, të cilët hapën zjarr ndërsa përpiqeshin ta pengonin atë të hynte në sinagogë. Plagë me armë zjarri paraqet edhe një nga tre të lënduarit e shtruar në spital, i cili fatmirësisht, është jashtë rrezikut për jetën.

Vitin e kaluar, Britania shënoi më shumë se 3.500 incidente antisemitike. Këto incidente u rritën pas nisjes së luftës në Gazë më 7 tetor 2023, kur Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – sulmoi jugun e Izraelit, duke nxitur luftën në enklavën palestineze.

 

 

 

Top Channel