
Policia Metropolitane arrestoi 300 persona në Londër gjatë protestave të zhvilluara në mbështetje të grupit të ndaluar “Palestina Action”.
Protesta u organizua nga lëvizja “Mbrojini Juritë Tona” në Sheshin Trafalgar, ku morën pjesë qindra njerëz, pavarësisht thirrjeve për shtyrjen e saj, pas një sulmi tragjik në një sinagogë në Mançester ku u vranë dy persona hebrenj.
Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimet “Unë kundërshtoj gjenocidin” dhe “Unë mbështes Veprimin për Palestinën”, ndërsa Policia Metropolitane dërgoi mbi 1,500 efektivë për të mbikëqyrur situatën.
Gjashtë persona u arrestuan gjithashtu për shpalosjen e banderolave në Urën e Westminster-it.
Organizatorët thanë se protesta ishte paqësore dhe kishte për qëllim të dënonte dhunën në Gaza, jo të sfidonte komunitetin hebre.
“Nuk ka asnjë dyshim se të gjithë ata që marrin pjesë në vigjiljen e heshtur do të tregojnë respekt dhe pikëllim të vërtetë për ata që u prekën nga mizoria në Heaton Park,” tha Jonathon Porritt nga “Mbrojini Juritë Tona”.
“Por kjo nuk do të thotë që duhet të heqim dorë nga e drejta për të mbrojtur ata që po shkatërrohen nga një gjenocid i vazhdueshëm në kohë reale në Gaza”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, komuniteti hebre dhe organizata bamirëse Community Security Trust (CST) e cilësuan protestën si të papërshtatshme dhe provokuese.
“Të pretendosh se mbron të drejtat e njeriut, ndërkohë që ia heq policisë mundësinë për të mbrojtur sigurinë e hebrenjve që thjesht duan të shkojnë në sinagogë, është thellësisht egoiste dhe e pandjeshme”, tha Dave Rich, përfaqësues i CST.
“Palestina Action” u ndalua nga qeveria britanike në korrik 2025, sipas ligjit kundër terrorizmit, pas një sërë aksionesh të dhunshme ndaj bazave ushtarake dhe furnizuesve të armëve të Izraelit. Çdo shfaqje mbështetjeje ndaj grupit tani është e paligjshme.
Grupi po sfidon ndalimin ligjërisht dhe organizatat protestuese kërkojnë rikthimin e të drejtës për të shprehur solidaritet paqësor.
Top Channel