
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka zbuluar një detaj interesant nga fillimet e karrierës së saj, ku shpesh ka përdorur motrën e saj, Elenën, për të dhënë intervista në radio në vend të saj, pasi zërat e tyre janë thuajse identikë.
Gjatë një interviste për BBC Radio 2, ajo rrëfeu se në periudha shumë të ngarkuara me angazhime, i duhej patjetër ta bënte këtë marifet.
“Po, është e vërtetë. Elena është motra ime dhe njeh mirë çdo detaj për mua, kështu që i thoja: ‘Hajde, bëje një telefonatë për Zelandën e Re, unë po bëj një tjetër për Australinë’ dhe ajo thoshte: Përshëndetje, jam Rita Ora”
Këngëtarja shtoi se ndoshta disa radio në Australi dhe Zelandën e Re nuk e kanë kuptuar kurrë se po flisnin me motrën e saj.
“Duhej të bëja çfarë duhej bërë, ishte një periudhë shumë e ngarkuar”, tha Rita.
Megjithëse nuk ngjajnë shumë fizikisht, Rita theksoi se zërat e tyre janë “thuajse identikë”, duke shkaktuar të qeshura në studio.
Ky rrëfim i Ritës është pritur me shumë simpati dhe humor në rrjetet sociale, ku fansat e kanë komentuar gjerësisht mënyrën spontane dhe të sinqertë me të cilën këngëtarja ndan momentet nga fillimet e saj në industrinë muzikore.
Top Channel