“Një popull në lëvizje”, ekspozita fotografike që dokumenton varfërinë e Shqipërisë në vitin 1994

04/10/2025 18:19

Mbrëmjen e së premtes u çel në Durrës ekspozita fotografike “Shqipëria 1994, Një popull në lëvizje”, me autor fotografin italian Gianni Bellesia dhe e kuruar nga Petrit Kozeli.

Kjo ekspozitë sjell për publikun shqiptar një rrëfim të fuqishëm vizual, të realizuar tri dekada më parë, në një kohë kur Shqipëria përpiqej të ngrihej mbi plagët e diktaturës dhe të ndërtonte një jetë të re.

Fotot e shkrepura në Durrës dhe në zonën e thellë të Nënshatit pasqyrojnë fytyrat, rrugët dhe shpresat e njerëzve të thjeshtë, që në fillim të viteve ’90 nisën një udhëtim të ri drejt lirisë dhe dinjitetit njerëzor.

“Kur erdha për herë të parë në Shqipëri në janar të vitit 1994 me një mision humanitar, pashë një vend që donte të rilindte. Ishte një kohë plot vështirësi, por edhe plot dritë në sytë e njerëzve. Kjo ekspozitë është një dëshmi për atë shpirt të fortë që më frymëzoi shumë dhe sot shoh ndryshime të mëdha”, tregon Gianni Bellesia, fotograf.

Ekspozita u çel dhe me mbështetjen e FotoKlub Durrësit, që është një nismë e re, e cila synon të krijojë një hapësirë bashkëpunimi dhe zhvillimi për dashamirësit e fotografisë në qytet.

Ekspozita do të qëndroje e hapur në fundjavë në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Durrës. Ajo u cilësua nga të pranishmit si një udhëtim emocional në kujtesën e një kohe që ndryshoi rrënjësisht jetën e shqiptarëve, por që mbetet ende e gjallë përmes artit të fotografisë

Top Channel