Në “Audi” me armë dhe municione tentuan t’i largohen policisë, arrestohet 40-vjeçari dhe e reja në Fier

04/10/2025 10:27

Dy shtetas ranë në prangat e Policisë së Fierit pas një operacioni të zhvilluar pasditen e djeshme në lagjen “Apollonia”, ku u kapën duke qarkulluar të armatosur me një automjet tip “Audi”. Pavarësisht përpjekjes për t’u larguar nga vendngjarja, ata u ndaluan nga forcat e rendit, të cilat sekuestruan një armë zjarri me municion luftarak, automjetin dhe dy celularë.

Gjatë kontrollit, në çantën e supit të drejtuesit të automjetit, u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Arma e zjarrit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 2 aparate celularë.

Në vijim të veprimeve për rastin, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier u arrestua në flagrancë shtetasi G. N. alias G. S., 40 vjeç, banues në fshatin Sulaj, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe shtetasja A. P., 31 vjeçe, banuese në fshatin Portëz, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Top Channel