Të gjithë po përgatiten për luftë, deklaroi presidenti serb Vucic, i cili dha alarmin për vendin e tij duke u ankuar se Kosova po “përpiqet ta përdorë këtë kohë para konfliktit” për ti bindur shumicën e shteteve evropiane dhe vendet e NATO-s që të mbajnë anën e Prishtinës.

Këto komente, kreu i shtetit serb i bëri pasi u pyet nga një gazetar për thirrjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që Evropa ti parandalojë taktikat agresive dhe destabilizuese të Serbisë ndaj fqinjëve të saj.

Vucic, që mori pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagen, u shpreh se “bota do të bëhet gjithnjë e më e vështirë” dhe se ai “mendon se po shkojmë drejt një konflikti të madh”.

“E dimë tashmë se do të ketë luftë, dhe do të ketë, po jua them unë, sepse e shoh çfarë po ndodh dhe si po përgatiten të gjithë. Askush nuk po përgatitet për bisedimet, ata thjesht po shohin se kush do të jetë në anën e kujt. Janë duke gërrmuar llogoret dhe po presin shpërthimin e konfliktit”, tha ai, ndërsa shtoi se Serbia do të “bëjë çmos” të mos marrë pjesë në një luftë të tillë.

Në çeljen e samitit në Danimarkë të enjten, Osmani pati pohuar për gazetarët se Rusia paraqet kërcënim për Evropën, ndërsa Serbia për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e akuzuar Beogradin se i kopjon veprimet e Moskës. Ajo i bëri thirrje Bashkimit Europian që “të mos e shpërblejë” Serbinë.

Top Channel